Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës do të shkurtojë kohën e udhëtimit duke bërë të mundur përshkimin e distancës Tiranë-Durrës në 20-25 minuta dhe 10-12 minuta lidhjen me Rinasin.
Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, në një intervistë në medie bëri të ditur se me vënien në jetë të kësaj linje hekurudhore, qytetarët në kohë rekord do udhëtojnë drejt Rinasit, por edhe në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit
Sipas tij, hekurudha do të ketë 11 stacione, të cilat do mund të aksesohen nga qytetarët, të cilët do udhëtojnë nga kryeqyteti për në Durrës dhe anasjelltas.
Ai pret që kjo mënyrë transporti do të përdoret masivisht nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga turistët e huaj, që kanë ardhur duke u shtuar vitet e fundit.
“Ne themi gjithmonë për të ikur në Rinas duhet të nisemi dy orë përpara. Nuk e kemi të sigurt për shkak të trafikut nëse mbërrijmë Rinasin apo jo. Kjo do bënte të mundur, që në orare të sakta, çdo qytetar të arrijë Rinasin në kohën e duhur. Qytetarët tanë, por duke parë dhe fluksin e turizmit, ata kërkojnë shërbim të transportit hekurudhor”, tha ai.
Hekurudha Tiranë-Durrës një projekt i rëndësishëm kombëtar, punimet e së cilës kanë avancuar në 70% të totalit, pritet të përmbyllet në muajin mars të viti të ardhshëm.
Ai informoi se brenda këtij viti do të hapet gara ndërkombëtare për përzgjedhjen e kompanisë që do ta ndërtojë hekurudhën Vorë-Hani i Hotit dhe se puna do të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe do të përfundojë në vitin 2029./ata