Me një ofertë prej rreth 1.38 mld lekë, pa TVSH Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të kryejnë punimet e fazës së parë për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës. Fitues është shpallur konsorciumi i dy kompanive e më konkretisht, Bami Holding dhe Curri, teksa fondi limit i vënë në dispozicion për këtë tender ishte rreth 1.67 mld lekë, pa TVSH.  Ndërkaq, për fazën e dytë të zgjerimit të këtij aksi rrugor,  për të cilin gjithashtu u hap procedura tenderuese, fituesi nuk është shpallur ende.

Këto dy procedura përfshijnë zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës në 5 km e parë, duke nisur nga Tirana deri në mbikalimin e Rinasit. Në dokumentet e tenderit specifikohet se punimet parashikohet të zgjatin 19 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës. Paralelisht, është specifikuar se pas zgjerimit të autostradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90 – 140 km/h. Sipas projektit, autostrada do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi.

Ndërkaq, paralelisht Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur edhe kompaninë fituese për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, loti 1, që është një rrugë alternative për aksin Tiranë – Durrës. Fitues i kësaj kontrate është shpallur bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe Eurokos Holding”, me një ofertë prej rreth 568 mln lekë, pa TVSH. Ndërhyrja në këto akse rrugor synohet të sjellë një përmirësim në drejtim të trafikut, që aktualisht paraqet probleme të shumta. Kjo jo vetëm për qytetarët, por edhe për binzeset që operojnë përgjatë saj./Tema