Sezoni i verës sapo ka nisur, por jo të gjithë shqiptarët do të shkojnë diku me pushime.

Kjo ndodh për shumë arsye, por mbi të gjitha është pamundësia ekonomike, e cila nuk i lejon të kenë qoftë edhe pak ditë larg kryeqytetit.

Për eksperten e Ekonomisë, Romina Radonshiqi, një tjetër arsye është dhe abuzimi me çmimet nga operatorët turistikë vendas, por edhe tregtarët e vegjël që duke përfituar nga këto ditë, kanë rritur çmimet, sidomos të produkteve të bulmetit.

Në një intervistë dhënë në studion e lajmeve në “Ora News”, Radonshiqi theksoi po ashtu se shqiptarët edhe pse e cilësojnë si të domosdoshëm periudhën e pushimeve, ata nuk kanë mundësi të bëjnë më shuëmë se një javë të plotë pushimesh, por zakonisht preferojnë të pushojnë në fundjavë.

Nga ana tjetër, edhe këtë viti përsëritet paradoksi, ku shqiptarët preferojnë vende të tjera për këto pushime, kryesisht Greqinë dhe Turqinë, kjo dhe për shkak të paketave ekonomike për xhepat e shqiptarëve, që tregu turistik shqiptar nuk i ofron dot.

Sa i përket të ardhurave dhe fitimeve nga turistët e huaj, ekspertja e Ekonomisë bëri me dije se shifrat e deklaruara mbetet në kuadrin e shifrave fiktive, pasi nuk ka një përllogaritje të qartë të të ardhurave që ata sjellin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Po ashtu, turistët e huaj mbeten problematikë sa i përket fitimeve, për shkak se ata aplikojnë turizmin me bukë me vete./OraNews