Autoritetet greke kanë konfirmuar se në ishullin Symi është gjetur trupi i mjekut britanik Michael Mosley.

Mosley u zhduk pasi doli për një shëtitje përgjatë bregut në ishull.

“U gjet në zonën Ayia Marina”, tha nënkryetari i bashkisë së ishullit, Nikitas Grillas. “Mund të konfirmoj se është ai”.

Zbulimi erdhi në ditën e pestë të një operacioni të madh ajror, tokësor dhe detar për të kërkuar prezantuesin televiziv dhe ekspertin e shëndetit që popullarizoi agjërimin dhe shpiku dietën 5:2.

Mosley, 67 vjeç, u pa për herë të fundit duke shkuar për një shëtitje përgjatë plazhit të Shën Nikollës në ishullin Symi në orën 13:30 me kohën lokale të mërkurën.

Gruaja e tij, Dr Clare Bailey, ngriti alarmin pasi ai nuk u kthye deri në mbrëmje. Një operacion kërkim-shpëtimi u nis për gjetjen e mjekut, i cili njihet më së shumti për paraqitjet e tij në “The One Show” dhe “This Morning”.

Në kërkim u përfshin policë, zjarrfikës, qen të trajnuar posaçërisht, vullnetarë dhe një dron. Policia po heton shkaqet e vdekjes.

Mosley, një kolumnist për Daily Mail, ka bërë dokumentarë të shumtë mbi dietën dhe stërvitjen.

Ai jetoi me një krimb shirit në zorrët e tij për gjashtë javë për dokumentarin “Të jetosh me parazitë”. /tesheshi.com/