Policia e Tiranës ka arrestuar për kanosje ndaj një shtetasi dhe familjarët e tij, dy persona.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për Mario Likën dhe Blenard Ahmetajn.
NJOFTIMI I POLICISE
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 2 shtetas organizonin edhe lotari të palejuara, me anë të 2 aparateve celulare, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas, për 2 persona që e shantazhonin dhe e kërcënonin për jetën, që t’u jepte një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Falë veprimeve profesionale nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në kuadër të operacionit policor të koduar “Credit”, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– M. L., 23 vjeç dhe B. A., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për dhënie pasurie, një 34-vjeçar dhe familjarët e tij.
Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se 2 të arrestuarit organizonin lotari të palejuara, me anë të aparateve të tyre celulare, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.