Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim Emir Suljagiq, Drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës i cili është edhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8 mijë boshnjakë.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti i uroi Suljagiqit mirëseardhje në Kosovë, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit “dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.

Në takim u tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës.

Duke e falënderuar kryeministrin për takimin, Suljagiq shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Suljagiq është pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca./aa