Në Galerinë FAB u çel ekspozita e pikturës vetjake e artistit Dritan Nasi, titulluar “Meteorite times”. Në ceremoninë e inaugurimit pati pjesëmarrës nga bota e artit, studentë dhe profesorë të Fakultetit të Arteve të Bukura si dhe artdashës.
Të gjitha pikturat vijnë si krijimtari e re e viteve 2023 -2024, dhe përfshijnë 20 piktura kompozime të përmasave të mëdha, me subjekt mitologjinë dhe reflektimet e saj në realitetin e sotëm. Hapja e ekspozitës u shoqërua me leksione të hapura mbi simbolikën e mitologjisë në art dhe mundësitë e përdorimit të saj në realitetin artistik të ditëve të sotme.
“Kjo ekspozitë është tërhequr nga historia dhe raportet që krijohen me të tashmen. Tani jam në një fazë që më pëlqen të skicoj duke krijuar një sipërfaqe prozaike dhe lineare, duke u përpjekur ta ndërthur me poezinë e ngjyrave”, deklaron artisti.
Sipas tij “Meteorite times” rrëfen mbi një kohë relative dhe të thyeshme dhe në këtë rrëfim synohet të jepen mitet në historinë antike të vendit tonë dhe pasqyrimin e tyre në ditët e sotme.
Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën është përpjekja për të realizuar krahas meditimit edhe komunikimin me gjithë publikun, duke përfshirë dhe studentët e Universitetit të Arteve, në lidhje me tematikën e miteve dhe të gjithë historisë që egziston në vendin tonë.
Ekspozita u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ata