Shkolla 9-vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër do të rehabilitohet krejtësisht me financimin e buxhetit të shtetit.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje nga kushtet e mjerueshme të trashëguara në këtë shkollë si dhe pamje nga projekti që synon ta transformojë atë.

“Si e trashëguam dhe si do ta bëjmë me Benetin e me financimin e qeverisë”, shkroi Rama.

Shkolla “Ndre Mjeda” është një nga pesë shkollat në Shkodër për të cilat do të çelen investimet. Projekti është në prag të fillimit. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e plotë të godinës. Plani gjithashtu përfshin ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

Ky projekt ambicioz pritet të zgjasë 12 muaj dhe do të sjellë një mjedis më modern dhe funksional për nxënësit dhe stafin e shkollës.
 

Nga rilindja e plotë e shkollave “Kolë Idromeno” dhe “Ndre Mjeda”, tek investimi për ambientet e reja sportive në shkollat “Dëshmorët e Prishtinës”, “Adem Haxhija” dhe Preng Jakova”, me një financim prej 4.5 milionë euro të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë së Shkodrës, nis puna për t’i ndryshuar faqe infrastrukturës arsimore të kryeqendrës së veriut.

Në të gjithë vendin përfundojnë këtë vit 100 objekte arsimore, falë programit të rindërtimit të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë, teksa po hapen 40 kantiere të reja, financime të MAS, për transformimin e infrastrukturës arsimore nga veriu në jug./ata