Takimet e kryeministrit Edi Rama në Greqi dhe Itali, nuk i kanë ndalur protestat e aktivistëve në diasporë, për ta detyruar politikën që t’u mundësojë të gjithë shqiptarëve të votojnë në mbarë botën.
BIRN
Paraditja e 26 Majit, një grup aktivistësh shqiptarë që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës, i gjeti “E-work Arena” në Busto Arsizio, pak kilometra larg Milanos.
Nuk kishin shkuar për të ndjekur ndeshje basketbolli apo volejbolli, por për të protestuar, pasi në këtë pallat sporti, kreu i qeverisë shqiptare në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, do të zhvillonte një takim me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Me premtimin se ka kthyer sytë nga diaspora, Edi Rama ka zhvilluar dy takime në Athinë dhe Milano, duke i pagëzuar me emrin “Turi i krenarisë”. Teksa Rama po zhvillonte mitingun në “E-work arena”, në shkallët e pallatit të sportit u shfaq një banderolë me mbishkrimin “#duatëvotoj2025”, për t'i kujtuar se edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë.
Kjo protestë shqetësoi rojet e sigurisë, që në kohë rekord nxorën jashtë aktivistët, të cilët pretendojnë se edhe janë dhunuar. Arbër Lleshi, një prej aktivistëve në Busto Arsizio shprehet se ky akt proteste nuk do jetë i fundit.
“Kjo fushatë tregon se ka shkuar përtej, në protesta deri edhe në parlament dhe nëpër ambasadat shqiptare në botë”, tha Lleshi.
Sipas tij, takimet e nisura nga kryeministri në Evropë nuk i shtojnë dozat e besimit se diaspora mund të votojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ndaj dhe protestat e tyre do të vijojnë.
“Ne ishim në Milano për t'i shfaqur kryeministrit banderolën tonë,” tha Lleshaj, ndërsa shtoi se “persona të paidentifikuar na sulmuan për të na grabitur me forcë banderolën dhe gjithashtu për të na nxjerrë me forcë nga stadiumi.”
“Në takimet me diasporën kryeministri merr njerëz me vete që të ndalojnë me dhunë protestues shqiptarë”, theksoi ai.
Kjo fushatë për kërkimin e votës për çdo shqiptarë anë e mbanë botës, mbështet dhe nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë, grupim i cili ka qenë ndër të parët që ka ngritur zërin për këtë kauzë.
Florian Haçkaj, kreu i kësaj lëvizjeje, tregoi për BIRN se nuk kanë besim tek Kuvendi për vendimmarrje të shpejtë për votën e diasporës, ndaj prej muajsh tashmë po organizojnë protesta në çdo cep të Evropës, por jo vetëm. As takimet e Ramës nuk e kanë shtuar optimizmin.
“Nëse do të ishte realizuar dhe do të shkonte tek diaspora dhe të deklaronte ‘ja dolëm të kemi votën tuaj dhe në zgjedhjet e ardhshme do të votoni',” tha ai. “Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”, konstatoi Haçkaj.
Si kërkon diaspora të votojë dhe çfarë propozon KQZ?
Në Kuvendin e Shqipërisë, një grup pune i ngritur me pëlqimin e Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar të PD-së që mbështesin fraksionin e njohur si ‘Rithemelimi' – i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, po vijon takimet me fokus tek reforma zgjedhore. Pavarësisht se u bënë më shumë se dy muaj që po vijojnë takimet, palët duket se janë larg një produkti konkret.
Në takimin e fundit, me dyer të mbyllura, ishte i pranishëm dhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që prezantoi projektin se si mund të votojë diaspora në zgjedhjet e vitit 2025.
Platforma e KQZ-së për të realizuar votimin elektronik të diasporës e ndan këtë proces në dy faza – në regjistrimin e emigrantëve dhe më tej votimin e tyre. Për të shmangur manipulimet, KQZ-ja parashikon se përveç të dhënave të identifikimit, personi bën dhe fotografim të fytyrës, që kryqëzohet dhe me fotografinë në dokumentin e identifikimit.
Të dhënat e marra, përkthehen në një formular elektronik. Por regjistrimi përfundon kur zgjedhësi jep të dhëna të tjera, adresën e e-mailit, numrin e telefonit, si dhe adresën e banimit jashtë territorit shqiptar. Të dhënat verifikohen dhe nga gjendja civile, për të dalë në përfundimin mbi saktësinë e të dhënave.
Pas verifikimeve, zgjedhësi njoftohet se ai gëzon të drejtën e votimit. E këtu nis faza e dytë, ajo e votimit. Mënyra e propozuar nga KQZ-ja parashikon votim elektronik dhe me postë. Për të përjashtuar mundësinë e mashtrimit, sistemi sërish kërkon identifikimin përmes fotografimit të fytyrës, por edhe gjenerimit të një kodi të përkohshëm dhe fjalëkalimi personal.
Kjo mënyrë votimi e zgjedhur nga KQZ-ja, duket se gjen konsensusin edhe të aktivistëve që kërkojnë votën e diasporës. Florian Haçkaj thotë se edhe në projektligjin e dorëzuar prej tyre vitin e kaluar, synohet votim me anë të postës.
“Qytetarët të regjistrohen në një portal unik që e ndërton KQZ-ja, ku dhe një qytetar që jeton përkohësisht jashtë, të mund votojë. Regjistrohen në KQZ, i vjen letra, voton me postë private. Por duhet të ketë një monitorim të rreptë”, sqaron ai.
Të njëjtin mendim ndaj dhe Arbër Lleshi, i cili shprehet se votimi duhet kryer “me postë ose elektronikisht”, duke shtuar se “e rëndësishme është që në tërësi të ketë një proces që na e garanton votën të gjithëve nga jashtë vendit, sigurisht me standardet më të larta të mundshme të ruajtjes së konfidencialitetit të votës dhe atë të të dhënave personale të votuesve”.
Politika e ndarë
Duket se politika do të bëhet pengesë për këtë metodë votimi. Damian Gjiknuri, anëtari socialist i grupit të punës për Reformën Zgjedhore, ngriti pikëpyetje për propozimin e KQZ.
“Votimi elektronik në distancë ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit. Nëse do shkohet në votimin elektronik në gjithë Shqipërinë, kjo është një çështje tjetër, siç dhe eksperienca ndërkombëtare sugjeron, votimi elektronik do bëhet pjesor. Varianti më i ndjeshëm dhe potencial mbetet varianti i votimit me postë”, tha ai.
Tjetër qasje ka Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar në këtë këtë grup pune. Sipas tij mënyra e propozuar nga KQZ për votën e diasporës është e pranueshme, por hedh akuza në drejtim të kundërshtarëve për sabotim të këtij procesi.
“Ajo që është shqetësuese janë përpjekjet e mazhorancës për ta bërë qesharake propozimet, çështjet, idetë, ose për t'i bërë të duken të pamundura. Objektivi final është si të pengohet në fund sërish vota e emigrantëve në vitin 2025”, tha ai.
Më herët socialistët kanë artikuluar dhe mundësinë e votimit në konsullata, por kjo ide kundërshtohet nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
“Metodën e votimit në konsullata ne e hedhim tërësisht poshtë. Nuk kanë kapacitete, plus që janë të politizuara. Kjo mënyrë nuk e zgjidh çështjen, pasi shumë duhet të bëjnë me mijëra kilometra për të shkuar në konsullatën më të afërt, kjo nuk e zgjidh problemin por më shumë pamundëson votimin”, tha Haçkaj për BIRN.
2025 po vjen, çfarë ndodh nëse nuk voton diaspora?
Grupi i punës në Kuvend po vijon diskutimet, por afatet po ngushtohen gjithnjë e më shumë. Teksa muaji korrik po afron, ngjan sikur dialogu mes mazhorancës dhe opozitës duket sikur mund të dështojë, pasi për shumë çështje – mes tyre dhe vota e diasporës, nuk po gjendet gjuha e përbashkët mes palëve.
Megjithatë, grupimet e diasporës premtojnë vijimin e protestave, pasi zëri i tyre ende nuk është dëgjuar nga ligjvënësit.
“Do të zhvillojmë protesta të tjera, kemi bërë protesta në shumë qytete të Europës”, deklaroi Haçkaj.
Nga ana tjetër, Arbër Lleshi pohon se “ajo çka duam të arrijmë në tërësi, është që grupi aktual i dialogut në parlament të dalë sa më shpejt me një projektligj për votim në seancë plenare”.
Sipas tij, nëse Parlamenti nuk voton kodin e ri zgjedhor që të mundësojë dhe votën e diasporës, do të organizohet një protestë masive në Tiranë.
Sa i përket një padie në Gjykatën Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e vitit 2025, nëse nuk voton diaspora, Haçkaj tha se “qëllimi jonë nuk ka qenë që në të fusim vendin në një qorrsokak për të mos u njohur zgjedhjet”, por nuk e mohon edhe këtë vendim.
Ndërkohë njofton se po përgatiten për t'iu drejtuar edhe Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburgut./SyriNet