Grabitja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 28 shkurtit në lagjen “11 Janari” në Kuçovë, ka marrë një rrjedhë tragjike.  52-vjeçari L.B, hyri për të vjedhur pula në banesën e familjes Shushari, ku u kap nga familjarët dhe u dhunua brutalisht.

Ndërkaq, News 24 raporton se 52-vjeçari nuk ka mundur dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe mesditën e sotme ka vdekur në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ai u dërgua menjëherë pas ngjarjes në gjendje kome, për shkak të goditjeve të shumta që kishte marrë në kokë. Lefter Brisku qëndroi 7-ditë në Spitalin e Traumës, ku sipas familjarëve mësohet se nuk ka reaguar asnjë moment.

Familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi për 52-vjeçarin, që sipas tyre u masakrua në mënyrë barbare nga djali 20-vjeç i familjes Shushari për dy pula.

Tashmë, familja Brisku në lagjen “11 Janari” në Kuçovë ka hapur pasditen e sotme dyert e mortit, në pritje të trupit të viktimës, ndërkohë që në banesën 2- katëshe të 20-vjeçarit B.S (tashmë i shoqëruar nga policia pasi po procedohej fillimisht pas ngjarjes në gjendje të lirë),gjithçka është e mbyllur.

Vëllai i viktimës, Shyqo Brisku i bën apel shtetit të vërë para drejtësisë 20-vjeçarin që masakroi për vdekje vëllain e tij, kur-sipas tij-kishte edhe mënyra të tjera për ta neutralizuar e më pas njoftuar policinë.

“Nëse vëllai kishte shkuar për të vjedhur ata duhet të njoftonin policinë kur e panë në oborr dhe jo ta masakronin për vdekje. Vëllai im ka dalë atë natë nga shtëpia i dehur dhe në atë gjendje që ndodhej ishte shumë e thjeshtë që një 20-vjeçar ta neutralizonte e të thërriste policinë por jo ta masakronte për vdekje.

Lajmin e morëm vesh nga mediat sepse policia nuk na njoftoi, as në Spitalin Ushtarak se pamë dot derisa vdiq, vetëm nusja mundi të hyjë brenda, por vëllai nuk reagoi asnjëherë. Ne kërkojmë drejtësi për vëllain tonë, që la jetim djalin e vetëm 16-vjeç”-,ka thënë Shyqo Brisku.

Viktima dhe agresori jetonin në të njëjtën lagje në qytetit e Kuçovës.