Në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë është hapur ekspozita fotodokumentare "KFOR dhe Kosova +25", me rastin e 25-vjetorit të vendosjes së KFOR-it në Kosovë.

Ekspozita e cila përqendrohet në një fotodokumentar të veçantë të prodhuar në Kosovë në vitet 2000-2001 nga foto-gazetari skocez, Nick Sidle, kur ai ishte bashkepunetor me regjimentet e Mbretërisë së Bashkuar dhe forcat e kombeve të tjera që ishin pjesë e ndërhyrjes së KFOR-it, u hap nga kryeministri Albin Kurti, Lord George Robertson - ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë periudhës së fotodokumentarit dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Ekspozita u shfaq për herë të parë në Kullën e Londrës në janar të këtij viti dhe tani prezantohet në Kosovë për të përkujtuar 25-vjetorin e vendosjes së KFOR-it.

Nick Sidle, i cili mori pjesë në ceremoni nëpërmjet internetit, ndau përvojat e tij nga kjo periudhë historike që ka ndikuar në jetët e njerëzve të Kosovës dhe në shumë të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera që ishin pjesë e KFOR-it.

Sita Kumari, drejtoresha e Heartstone, e cila organizoi ekspozitën, mori pjesë personalisht në këtë aktivitet.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kjo ekspozitë risjell kujtimet e periudhës së 25 viteve më parë. Kurti tha se më 10 qershor 1999, NATO-ja i dha fund fushatës së bombardimeve të Jugosllavisë, e cila ndaloi planin gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit për të shfarosur popullatën shqiptare në Kosovë.

Ai përkujtoi se në atë kohë Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, e cila autorizonte dislokimin e forcave ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, dhe qindra mijëra refugjatë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre u kthyen në Kosovën e djegur plot me varre dhe të vrarë.

"Kjo ekspozitë na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjellë në pah një periudhë të rëndësishme historike për të gjithë ne. Na sjell kontrastin midis çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hershme të njerëzimit. Krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve, është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e ri", tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova e vlerëson thellësisht rolin e NATO-s dhe mbështetjen e sigurisë së Kosovës, me synimin e qartë të rrugës euroatlantike të Kosovës.

Lordi George Robertson, tha se vendimi për ndërhyrjen ajrore 25 vjet më parë ishte një vendim i madh. Ai tha se ndërhyrja kishte për qëllim mbrojtjen e popullatës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

"Kjo ekspozitë e përgatitur nga Sita dhe kolegët e saj, përfaqëson natyrën njerëzore të asaj që ndodhi atëherë dhe asaj që ndodhi më vonë, si dhe shërbimin e shumë njerëzve me uniformë dhe të tjerëve që i mbështetën ata. Ka shumë rrëfime të cilat tregohen përmes fotografive dhe kishin nevojë dhe duhej që të tregoheshin dhe do t’u tregohen po ashtu edhe brezave të rinj", tha Lord Robertson.

Ekspozita është restauruar dhe ripunuar nga origjinalet e filmit të fotove, një proces që filloi në shtator 2023.

Pas prezantimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ekspozita do të vazhdojë të shfaqet në 'National Memorial Arboretum’s Commemoration of Kosovo' në Mbretërinë e Bashkuar më 23 qershor dhe më pas do të bëjë turne nëpër Mbretërinë e Bashkuar me një prezantim të planifikuar në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar në nëntor.

Kjo ekspozitë paraqet një periudhë historike të rëndësishme dhe ofron një pasqyrë unike në jetën dhe punën e paqeruajtësve, si dhe ndikimin e tyre në Kosovë dhe përtej.

Nick Sidle është një fotograf dokumentar i njohur për esenë e tij vizuale mbi Ballkanin, Afganistanin, Londrën dhe projekte të tjera ndërkombëtare./aa