Në Shqipëri po mbahet Konferenca Evropiane e INTERPOL-it, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të policive dhe agjencive ligjzbatuese nga vende të ndryshme, ndërkohë në fokus janë çështjet mbi forcimin e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Ceremonia e hapjes së Konferencës së 51-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it, është mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ndërkohë në hapje të saj mbajtën fjalë përshëndetëse ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla dhe zyrtarë të tjerë.

Ministri Balla theksoi se Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe kundër narkotikëve.

"Sot, më shumë se kurrë, ne përballemi me sfida të shumta në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Krimi i organizuar, trafikimi i lëndëve narkotike, terrorizmi dhe krimet kibernetike janë kërcënime globale që nuk njohin kufij dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar" u shpreh Balla.

Në lidhje me angazhimin e Policisë së Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare në kuadër të Interpol, ministri Balla theksoi se "kemi bërë pjesën tonë në kontributin për komunitetin ndërkombëtar të policisë".

"Lufta kundër pandëshkueshmërisë është thelbësisht e lidhur me gjetjen e të arratisurve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë. Ne kemi marrë hapa të rëndësishëm dhe të fort për të reformuar sistemin tonë të drejtësisë, për të forcuar institucionet tona të sundimit të ligjit, dhe sapo kemi filluar të mbledhim rezultatet kundër të gjitha llojeve të pandëshkueshmërisë", u shpreh ndër të tjera Balla.

Presidenti INTERPOL-it, Ahmed Naser Al-Raisi, në fjalën e tij u shpreh se është e rëndësishme që të pranojnë lidhjen e fortë që ekziston midis INTERPOL-it dhe Evropës.

"Së bashku ne ndajmë burime dhe ekspertizë në çështje që kanë të bëjnë me interesat tona të përbashkëta dhe me projektet e përbashkëta. Së bashku jemi më të fortë", tha ai.

Al-Raisi tha se me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe vendeve anëtare, INTERPOL-i ka bërë progres shumë të rëndësishëm në operacionet në Evropë.

Konferenca treditore organizohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, ndërkohë marrin pjesë rreth 200 përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Evropës dhe më gjerë.

Sipas organizatorëve, konferenca është aktiviteti më i rëndësishëm i INTERPOL-it në Evropë, ku drejtues të lartë nga vendet anëtare do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat dhe të marrin vendime për përparimin e masave të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar./aa