Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së, ndërsa u shpreh se “vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar në ligj”.

Në një prononcim për medie pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Basha bëri të ditur se po konsiderohet ideja e rekursit në Gjykatën e Lartë.

“Shqiptarët meritojnë të dinë se si PD dhe demokratët do jenë në gjendje të largojnë këtë qeveri. Nëse vendimet që marrin i shërbejnë kësaj ne do ecim para, por nëse përpiqen të na bëjnë pjesë të alibive për të mbajtur në këmbë pazare, te ne do gjejnë të njëjtin realitet politik, si në rastin e amnistisë kemi treguar se jemi krah njerëzve”, theksoi ai.

Basha tha se “kemi një përgjegjësi ndaj atyre që këtë betejë e bëjnë për vlerat e demokratëve, jo për vulë dhe karrige”.

“Jemi në një situatë ku duhen marrë vendime serioze. Partneritet ynë është me qytetarët, me drejtësinë e refomuar. Ne do marrim vendimet e duhura. Është standard nuk është retorikë. Ka pasur një ndjesi të përligjur të padrejtësisë së këtij vendimi. Nuk i tremben asgjëje fiktive, as logo, as vula, as karrigia s’të bën demokrat më të mirë dhe qytetar më të mirë. Me këtë vetëdije do ta vazhdojmë bashkëbisedimin me shqiptarët dhe demokratët. Ajo që kemi vendosur është që mos lëmë askënd pa marrë me vete në këtë vendimmarrje. Kjo betejë nuk ka qenë kurrë për vulë e për karrige. Ne do të gjejmë rrugën më të mirë. Duket qartë se është përvijuar koalicion antivlerash në horizont dhe ka alibi për të mbajtur Ramën në pushtet”, u shpreh ai.

Sipas Bashës “kjo qeveri ka zvogëluar hapësirat për debat publik”.

“PD dhe demokratët do të largojnë këtë qeveri, nëse vendimet i shërbejnë kësaj, do të ecim përpara. Nuk mund të mbajmë në këmbë pazare të vjetra. Ne luftojmë për interesat e njerëzve dhe jo personale. Nëse do të dish sesi ndihem, unë ndihem demokrat dhe ne kemi përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që këtë betejë e bëjnë për idealet demokratike. Rama kundërshtar serioz të tij ka pasur vetëm Bashën”, tha ai./ata