Prindërit e fëmijëve nga 0-7 vjeç nuk do të kenë më nevojë të paraqiten pranë Qendrave Shëndetësore, për të tërhequr kartelën e vaksinave që kanë kryer të vegjëlit e tyre, sepse nga sot dokumenti sigurohet online dhe në kohë reale, nëpërmjet e-Albania.

Në portalin qeveritar e-Albania është shtuar një shërbim i ri elektronik i emërtuar si “Kartela personale e vaksinimit” – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15393

Qytetarët, që kanë fëmijë nën 7 vjeç, pasi të jenë loguar në llogarinë e tyre personale, mund të përdorin lehtësisht shërbimin, pa patur nevojën e ngarkimit të asnjë dokumenti shoqërues duke gjeneruar menjëherë kartelën e kërkuar.

Në formë elektronike, qytetarët mund ta paraqesin dokumentin në çdo kohë drejt administratës së çerdheve dhe kopshteve ku do të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke i çliruar përfundimisht nga mundimi i përvitshëm për sigurimin e kartelës në letër dhe me vulë të njomë.

As prindërit e fëmijëve që do të regjistrojnë fëmijët në klasë të parë nuk do të kenë më detyrimin ta depozitojnë kartelën pranë shkollës ku do të mësojë fëmija. Tashmë, nëpërmjet ndërveprimit të SMIP dhe Regjistrit Elektronik të Vaksinimit, kartela digjitale e vaksinimit do të dërgohet elektronikisht në shkollë nga vetë sistemi.

Më risinë e fundit, tashmë krijohet një portofol elektronik i ri i vaksinave të fëmijëve nga 0 deri në 7 vjeç, të cilin prindërit mund ta gjenerojnë në çdo kohë nga llogaria e tyre personale në rubrikën “Dokumentet e mia”./ata