Në vendin tonë janë konfirmuar 17 raste të virusit të Nilit Perëndimor.
Instituti i Shëndetit Publik publikoi sot disa të dhëna lidhur me këtë virus, fakte kryesore, mënyrën si transmetohet ky virus, shenjat, diagnoza dhe si parandalohet infektimi nga ky virus.
Virusi i Nilit Perëndimor
Fakte kryesore
Rreth 80% e njerëzve që janë të infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor nuk shfaqin asnjë shenjë.
– Zogjtë janë bartës natyrorë të virusit të Nilit Perëndimor.
– Virusi i Nilit Perëndimor mund të shkaktojë sëmundje të rënda dhe ngordhje te kuajt.
– Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit nga mushkonjat e infektuara.
– Virusi i Nilit Perëndimor nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu.
– Në të gjithë botën, ende nuk janë në dispozicion vaksinat për të parandaluar infektimin nga virusi i Nilit Perëndimor te njerëzit.
– Virusi i Nilit Perëndimor mund të shkaktojë sëmundje neurologjike dhe vdekje te njerëzit.
Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës “të vdekur”, që do të thotë se, ndërsa ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.
Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose poliomieliti i Nilit Perëndimor) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.
Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 50 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.
Si vendoset diagnoza?
Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngjet e trurit dhe të palcës së kurrizit, si dhe mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.
Si trajtohet?
Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës.
Si parandalohet?
1. Kufizimi i rrezikut të infektimit te njerëzit
Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.
2. Kontrolli i mushkonjave
Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.
3. Parandalimi i infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor
Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat paraprake të kontrollit të infeksionit.
4. Parandalimi i transmetimit të virusit në kuaj
Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar./ata