Autoritetet izraelite janë përgjegjëse për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” të kryera gjatë operacioneve ushtarake dhe sulmeve në Gaza që nga 7 tetori, tha një komision i mbështetur nga OKB-ja në një raport të ri.
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i OKB-së për Hetime zbuloi se autoritetet izraelite janë përgjegjëse për “krimet e luftës të urisë si një metodë lufte, vrasjes ose vrasjes me dashje, drejtimit të qëllimshëm të sulmeve kundër civilëve dhe objekteve civile, transferimit të dhunshëm, dhunës seksuale, torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose mizor, ndalimit arbitrar dhe fyerjes ndaj dinjitetit personal”.
Komisioni zbuloi se “krimet kundër njerëzimit të shfarosjes, persekutimit gjinor naj burrave dhe djemve palestinezë, vrasjeve, transferimeve me forcë dhe torturave dhe trajtimeve çnjerëzore dhe mizore” janë kryer gjithashtu.
Viktimat e shumta civile dhe shkatërrimi i gjerë i objekteve dhe infrastrukturës civile në Gaza ishin “rezultat i pashmangshëm i një strategjie të ndërmarrë me synimin për të shkaktuar dëme maksimale, duke shpërfillur parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave të duhura paraprake”.
Përdorimi i qëllimshëm i armëve të rënda me kapacitet të madh shkatërrues në zona me popullsi të dendur përbën “sulm të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj popullatës civile”, shtoi komisioni.
Lidhur me deklaratat e bëra nga zyrtarët izraelitë, raporti thotë se komentet e tyre “përbëjnë nxitje dhe mund të përbëjnë krime të tjera të rënda ndërkombëtare”, duke shtuar se nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike e gjenocidit është krim sipas ligjit ndërkombëtar kurdo që kryhet.
Komisioni vlerësoi gjithashtu urdhrat e evakuimit të lëshuara nga Izraeli, duke i quajtur ato “të pamjaftueshme, të paqarta dhe konfliktuale” dhe që “nuk dhanë kohën e duhur për evakuime të sigurta”.
“Për më tepër, rrugët e evakuimit dhe zonat e përcaktuara si të sigurta u sulmuan vazhdimisht nga forcat izraelite”, tha komisioni, duke shtuar: “E gjithë kjo, përcaktoi Komisioni, përbën transferim të dhunshëm”.
Sipas komisionit, Izraeli vendosi gjithashtu një “rrethim total”, i cili “përbën dënim kolektiv” kundër popullsisë civile. “Autoritetet izraelite kanë shndërruar në armë rrethimin dhe kanë përdorur nevojat jetësore, duke përfshirë ndërprerjen e ujit, ushqimit, energjisë elektrike, karburantit dhe ndihmës humanitare, për përfitime strategjike dhe politike”, thuhet më tej.
Ai theksoi se rrethimi ka “ndikuar në mënyrë disproporcionale” te gratë shtatzëna dhe personat me aftësi të kufizuara, me “dëme serioze të shkaktuara te fëmijët, që çojnë në vdekje të parandalueshme të fëmijëve nga uria, përfshirë të sapolindurit”.
Lidhur me aktet në Bregun Perëndimor, komisioni zbuloi se Izraeli ka kryer “akte të dhunës seksuale, torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose mizor dhe fyerje ndaj dinjitetit personal, të cilat të gjitha janë krime lufte”.
Për më tepër, komisioni përcaktoi se qeveria izraelite, si dhe ushtria izraelite, “lejuan, nxitën dhe inicuan” një model agresioni kolonësh të drejtuar kundër komuniteteve palestineze brenda Bregut Perëndimor.
- Kërkesa e OKB-së për Izraelin: Të ndërpriten sulmet, të zbatohen vendimet e GJND-së
Në rekomandimet e tij, komisioni i kërkoi Izraelit të ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke përfshirë zbatimin e një armëpushimi, përfundimin e bllokadës së Gazës, sigurimin e dërgesës së furnizimeve humanitare dhe ndalimin e sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Tel Avivit të “përputhet plotësisht” me detyrimet e tij ligjore të përcaktuara në urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për masat e përkohshme të lëshuara më 26 janar, 28 mars dhe 24 maj dhe, në veçanti, t’i lejojë komisionit qasje në Gaza të kryejë hetime.
Ai rekomandoi gjithashtu që të gjitha shtetet palë në Statutin e Romës të bashkëpunojnë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
“Izraeli duhet të ndalojë menjëherë operacionet dhe sulmet e tij ushtarake në Gaza, duke përfshirë sulmin në Rafah, i cili ka kushtuar me jetën e qindra civilëve dhe ka zhvendosur përsëri qindra mijëra njerëz në vende të pasigurta pa shërbime bazë dhe ndihmë humanitare”, ka thënë Navi Pillay, kryetarja e komisionit, në një komunikatë për media.
- Kërkesa OKB-së për Hamasin: Të ndërpriten sulmet me raketa ndaj Izraelit, të lirohen pengjet pa kushte
Në lidhje me sulmin e 7 tetorit në Izrael, komisioni zbuloi se krahu ushtarak i Hamasit dhe gjashtë grupe të tjera të armatosura palestineze, janë përgjegjës për “krimet e luftës të drejtimit të qëllimshëm të sulmeve kundër civilëve, vrasjeve ose vrasjeve me dashje, torturave, trajtimit çnjerëzor ose mizor, shkatërrimit ose sekuestrimit të pronës së një kundërshtari, cenimit të dinjitetit personal dhe marrjes së pengjeve, duke përfshirë fëmijët”.
Ai nënvizoi se “gjuajtja pa kriter e mijëra predhave drejt qyteteve izraelite që rezultojnë në vdekje dhe plagosje të civilëve janë gjithashtu shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të drejtave të njeriut”.
Komisioni i kërkoi qeverisë së shtetit të Palestinës dhe autoriteteve de-fakto në Gaza që “të ndërpresin menjëherë të gjitha sulmet me raketa ndaj Izraelit, të lirojnë pa kushte të gjithë pengjet dhe të hetojnë tërësisht dhe në mënyrë të paanshme shkeljet dhe të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për krimet, përfshirë ato të kryera më 7 tetor dhe që nga ajo datë nga anëtarët e grupeve të armatosura palestineze joshtetërore në Izrael”.
“Hamasi dhe grupet e armatosura palestineze duhet të ndërpresin menjëherë sulmet me raketa dhe të lirojnë të gjithë pengjet. Marrja e pengjeve përbën krim lufte”, ka thënë Pillay.
Duke theksuar se është e domosdoshme që të gjithë ata që kanë kryer krime të mbahen përgjegjës, komisioni vlerëson: “E vetmja mënyrë për të ndaluar ciklet e përsëritura të dhunës, duke përfshirë agresionin dhe ndëshkimin nga të dyja palët, është të sigurohet respektimi i rreptë i ligjit ndërkombëtar”.
Raporti i komisionit do t'i paraqitet seancës së 56-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut më 19 qershor në Gjenevë. Ai bazohet në intervista me viktima dhe dëshmitarë të kryera nga distanca dhe gjatë një misioni në Türkiye dhe Egjipt, me mijëra artikuj me burim të hapur të verifikuara përmes analizave të avancuara mjeko-ligjore, qindra paraqitjeve, imazheve satelitore dhe raporteve mjeko-ligjore.
“Izraeli pengoi hetimet e komisionit dhe pengoi hyrjen e tij në Izrael dhe territorin e pushtuar palestinez”, vuri në dukje raporti i komisionit./aa