Komisioni i mjekësisë pranë Akademisë së Shkencave diskutoi sot në lidhje me njohjen e problematikave të humbjes së dëgjimit në Shqipëri në moshat pediatrike dhe tek të rriturit dhe pasojat.

Ishin pjesëmarrës në sallën “Aleks Buda” dhe online akad.emeritus Anesti Kondili, akad. emeritus Nestor Thereska, akad. Genc Sulçebe, prof. Anila Godo, prof. Albana Fico, prof. Arjan Harxhi, prof. asoc. Helidon Nina, prof. Xheladin Dracini, prof. Erda Qorri, prof. Suela Këlliçi, prof. asoc. Arbi Pecani, prof. asoc. Brikena Qirjazi (shefe e Shërbimit ORL të QSUNT).

Mbledhja u hap nga kryetari i komisionit të mjekësisë, akad. Genc Sulçebe, i cili foli mbi qëllimin dhe rëndësinë e trajtimit të kësaj teme.

Akad. Sulçebe bëri një prezantim të shkurtër për dy anëtarët e rinj që iu shtuan komisionit të mjekësisë, prof. Suela Këlliçi dhe prof.asoc. Arbi Pecani. Ai tha se kontributi i të dy anëtarëve në fushat që përfaqësojnë, do jetë i vyer edhe për temat që do të trajtohen nga ky komision.

Më tej, prof. asoc. Brikena Qirjazi bëri një paraqitje gjithëpërfshirëse të tematikës, duke krijuar një tablo të plotë të depistimit të humbjes së dëgjimit në të porsalindurit në vendin tonë përmes një vështrimi krahasues me vendet e tjera të rajonit.

Prof. Anila Godo u shpreh se kjo është një punë shumë e mirë e bërë nga prof. asoc. Qirjazi dhe se rekomandimet duhet t’iu paraqiten politikëbërësve për tema të tilla, në mënyrë që të merren masa për t’i minimizuar këto efekte. Zbulimi sa më i shpejtë i humbjes së dëgjimit në moshat pediatrike ndihmon në mënyrë të konsiderueshme në reabilitimin e tyre.

Prof. Fico, pasi e përgëzoi prof. asoc. Qirjazin për punën e bërë dhe projektin e realizuar që përfshin dy dekada, u shpreh se shqetësimet më të mëdha kanë të bëjnë me rehabilitimin e të sëmurëve dhe jo me depistimin e tyre. Në lidhje me këtë shqetësim, një udhëzues do ishte ideal për ta përçuar më tej punën e kryer deri më sot.

Akad. emeritus A. Kondili gjithashtu mbështeti mendimin për sensibilizimin e institucioneve për tema të tilla.

Akad. Sulçebe falënderoi prof. asoc. Qirjazin për punën e bërë që konsiston në ngritjen e një sistemi që nuk ekzistonte në Shqipëri. Ai tha se me ndihmën e Akademisë së Shkencave këto rekomandime duhet t’i paraqiten Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për veprimtarinë e radhës ku ky komision do të japë kontributin e tij, konferenca ndërkombëtare me temë: ”Air and Water Quality Control: Important Factors in Protecting Human Health and Premises for Sustainable Development” (Kontrolli i cilësisë së ajrit dhe ujit: faktorë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe premisa për zhvillim të qëndrueshëm), e parashikuar në programin e Akademisë së Shkencave në datën 4-5 korrik 2024./ata