Izraeli ka arrestuar 9.170 palestinezë nga Bregu Perëndimor që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar, tha Klubi i të Burgosurve Palestinezë.
"Autoritetet okupuese izraelite, pas 250 ditësh të luftës gjenocidale, vazhdojnë të përshkallëzojnë fushatat sistematike të arrestimit që kanë shënjestruar më shumë se 9.170 të burgosur nga Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin, përveç mijërave nga Gaza", thuhet në një deklaratë.
"Okupatori ka kryer krime të tmerrshme" kundër të burgosurve që kanë çuar në të paktën 18 të vdekur, ndërsa vlerësohet se "dhjetëra të burgosur nga Gaza kanë rënë dëshmor", thuhet më tej.
"Okupatori kohët e fundit tha në një raport hetimor se 36 të arrestuar nga Gaza kanë rënë dëshmorë dhe deri më sot, ajo refuzon të zbulojë identitetin e tyre ose rrethanat e vdekjes", shtoi ai.
Klubi gjithashtu theksoi se 310 gra dhe të paktën 640 fëmijë janë ndaluar.
Ai konfirmoi se "numri i gazetarëve të arrestuar është rreth 85, me 52 që mbeten në paraburgim, duke përfshirë 14 gazetarë nga Gaza".
"Në mesin e të arrestuarve, gjashtë gazetare femra mbahen ose nën paraburgim administrativ ose me akuza të pretenduara nga pushtuesi, si nxitje", thuhet në deklaratë.
Ai gjithashtu vuri në dukje se "numri i urdhrave të ndalimit administrativ ka arritur në rreth 6.627".
Ndalimi administrativ është një urdhër ushtarak izraelit që lejon burgosjen pa akuzë, që zgjat deri në gjashtë muaj dhe mund të vazhdohet.
Klubi i të Burgosurve tha se "çështja e të burgosurve të Gazës është aktualisht sfida kryesore për organizatat e të drejtave të njeriut, veçanërisht me praktikën e vazhdueshme të zhdukjes me forcë nga okupimi kundër shumicës së të burgosurve nga Gaza dhe refuzimin e tij për të lejuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që t’i vizitojë dhe kontrollojë kushtet e tyre të burgimit".
Në lidhje me torturat e të burgosurve, klubi tha se "metodat e keqtrajtimit përfshijnë etjen, urinë dhe privimin nga të gjitha nevojat elementare të jetës".
"Është shfaqur përhapje e sëmundjeve të lëkurës midis të burgosurve, veçanërisht zgjeba, për shkak të mungesës së kushteve higjienike, veçanërisht pasi administrata e burgut tërhoqi veshjet dhe i la secilit të paraburgosur vetëm një grup rrobash, duke adoptuar një politikë të mbipopullimit", shtoi ai.
Klubi i të Burgosurve bëri thirrje për një "hetim nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për krimet dhe shkeljet e rënda të kryera ndaj të ndaluarve dhe të burgosurve në burgjet dhe kampet e okupimit".
Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, e cila ka vrarë më shumë se 37.200 njerëz, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Të paktën 543 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.200 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar e urdhëroi atë të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa