Meteorite Times është ekspozita më fundit vetjake e piktorit Dritan Nasi në galerinë FAB.

Kjo ekspozitë i kushtohet historisë dhe raporteve që krijohen me të tashmen. Autori skicon duke krijuar një sipërfaqe prozaike dhe lineare, duke u përpjekur ta ndërthur me poezinë e ngjyrave. Çdo gjë njerëzore është thjesht një raport, raport mes perëndive, mes njerëzve.

Perënditë dashuronin, pëlqenin, tradhtonin, hakmerreshin dhe të gjitha këto raporte të ndërsjella janë transmetuar nga qielli drejt tokës dhe drejt njerëzores. Në këtë rrëfim mes tablove synohet të jepen mitet në historinë antike të vendit tonë dhe pasqyrimin e tyre në ditët e sotme.

Sipas piktorit, njohja e këtyre miteve dhe legjendave ndihmon edhe në kuptimin edhe interpretimin e jetës moderne të ditëve të sotme. Prandaj dhe kjo ekspozitë i flet dhe të tashmes./Tema