Ambasadori gjerman, Karl Bergner takoi sot Lulzim Bashën në kuadër të bisedimeve të tij me liderët politikë të qeverisë dhe opozitës.

Në fokus ishte shkëmbimi për zhvillimet e brendshme politike, vijimi i kursit të reformave të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Ambasadori Bergner theksoi rëndësinë e madhe të një opozite demokratike për zhvillimin e vendit.

Për këtë qëllim, pjesëmarrja paqësore dhe konstruktive në proceset parlamentare është po aq e rëndësishme sa respektimi i të drejtave të pakicave dhe ndarja e pushteteve nga të gjitha palët.

Forcimi i mëtejshëm i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, veçanërisht nëpërmjet Prokurorisë së Posaçme SPAK, janë thelbësore jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për një të ardhme më të mirë për të rinjtë e të rejat shqiptarë.

Ndërsa, Basha në një postim në rrjetet sociale u shpreh se në takim theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit drejtësia e fortë dhe e pavarur dhe për këtë, u shpreh ai, “kemi ofruar mbështetje të pakushtëzuar për SPAK edhe përmes nismave ligjore në parlament por dhe programit qeverisës “Shqipëria meriton më shumë”, të cilin e kemi shpalosur para qytetarëve”.

“Ndava të njëjtin qëndrim me ambasadorin Bergner se forcimi i mëtejshëm i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit, veçanërisht nëpërmjet Prokurorisë së Posaçme SPAK, janë thelbësore jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për një të ardhme më të mirë për familjet e të rinjtë dhe të rejat shqiptarë”, nënvizoi Basha./ata