Shqipëria është zyrtarisht shteti i 36-të anëtar i Qendrës Evropiane të Ekselencës së Helsinkit Kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE).

Gjatë vizitës së tij në Finlandë, ministri Hasani firmosi memorandumin e mirëkuptimit, ndërsa e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë si një hap të rëndësishëm në angazhimin e vendit tonë për sigurinë e përbashkët me aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të BE-së.

“Vetëm nëpërmjet komunikimit të hapur dhe mbështetjes reciproke, ne mund të zhvillojmë strategji efektive për t’iu kundërvënë këtyre sfidave komplekse dhe për të mbrojtur demokracitë e vendeve tona”, tha ai.

Sipas drejtoreshës së Qendrës Evropiane të Ekselencës, Teija Tiilikainen, me anëtarësimin e Shqipërisë kompletohet anëtarësimi i vendeve të NATO, për qasje të unifikuar kundër kërcënimeve hibride.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Finlandë, ministri Hasani pati një bashkëbisedim me Grupin e Miqësisë për Shqipërinë në parlamentin finlandez.

Kryediplomati shqiptar theksoi se, Shqipëria është mirënjohëse ndaj Finlandës për mbështetjen e fortë të politikës së zgjerimit të BE-së dhe integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor.

Hasani mbajti gjithashtu një fjalë gjatë vizitës së tij në Shoqatën Paasikivi, mbi rolin jetik të integrimit evropian për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor./ata