Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në konferencën e përbashkët për media në Madrid me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Spanja dhe Türkiye ndajnë nevojën “urgjente dhe të domosdoshme” për të arritur një armëpushim në Gaza.

“Sa i përket Gazës, të dy vendet ndajnë nevojën urgjente dhe të domosdoshme për të arritur një armëpushim, hyrjen e ndihmave humanitare në përpjesëtim me nevojat e popullit të Gazës, si dhe lirimin e pengjeve”, tha Sanchez.

Erdogan: Türkiye dhe Spanja do te punojne se bashku per paqen Izrael-Palestine

Sanchez tha se qeveritë spanjolle dhe turke “ndajnë një angazhim të qartë dhe të vendosur për paqen në Ukrainë dhe Palestinë, si dhe punojnë së bashku për të forcuar rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla që garantojnë respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Ai theksoi se “vizioni ynë për Ukrainën është gjithashtu shumë i ngjashëm”.

I pyetur nga Anadolu për bashkëpunimin e mundshëm për njohjen e Palestinës si shtet nga vendet e tjera, Sanchez tha se “absolutisht” po i hapin derën një bashkëpunimi të tillë.

Duke përsëritur angazhimin e Madridit për të inkurajuar vendet e tjera evropiane dhe perëndimore që të njohin shtetin palestinez, kryeministri spanjoll tha se njohja është “zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme, veçanërisht midis Palestinës dhe Izraelit”.

Për marrëdhëniet dypalëshe me Türkiyen, Sanchez tha se marrëdhëniet janë në një “gjendje të shkëlqyer”. Ai theksoi se Türkiye dhe Spanja janë partnerë miqësorë dhe vende aleate që shkëmbejnë përvojat përkatëse kulturore, sociale dhe ekonomike.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për gjithçka që na bashkon, që është shumë dhe do të jetë, unë jam i bindur edhe shumë më tepër”, tha Sanchez.

Ai po ashtu theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është reflektuar në nënshkrimin e sotëm të 13 marrëveshjeve që adresojnë tema shumë të larmishme, respektivisht sferën ekonomike, bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik, bashkëpunimi në fushën hapësinore, punësimi, lëvizshmëria, tranzicioni energjetik, arsimi dhe pyjet./aa