Personat e punësuar në ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet financiar apo në kompanitë e sigurimit, paguhen më tepër, ndjekur menjëherë më pas nga sektori i informacionit dhe komunikimit. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se gjatë tremujorit të parë 2024, paga mesatare bruto për grupaktivitetin e informacionit dhe komunikacionit, u rrit me 6,9% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Por si kanë ndryshuar pagat për këto dy sektorë në 5 vitet e fundit?
Në një hark kohor pesëvjeçar, pagat kanë pasur tendencë rritëse, me ndonjë ulje të vogël në varësi të gjendjes financiare të kompanive në vite të caktuara. Rroga më e lartë mesatare bruto është shënuar në fund të vitit 2023, ku një profesionist financiar dhe sigurimesh është paguar përafërsisht me 1.5 milionë lekë, ndërkohë që një i punësuar në fushën e komunikimit dhe informacionit rreth 1.1 milionë lekë.
Nga ana tjetër, si për grupin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, ashtu edhe për atë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, paga më e ulët është shënuar në vitin 2019. Përkatësisht 1 milionë lekë për të parën dhe 760 mijë lekë për të dytën. Luhatje pranë këtij pragu të ulët ka pasur edhe në tremujorin e parë të vitit 2021 për profesionistët e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit. Kjo lidhet edhe me faktin që një numër i madh ndërmarrjesh u mbyllën gjatë atij viti, si pasojë e ndikimit të pandemisë së covid-19.
Ajo që vërehet është se pagave më të larta në këto sektorë, po i përgjigjen edhe të rinjtë, ku aktualisht degët më të kërkuara në universitete janë ato që lidhen me ekonominë, si dhe me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Pavarësisht se pagat në këto dy sektorë janë ndër më të lartat në Shqipëri, nëse i krahasojmë me rajonin apo më gjerë, ato vazhdojnë të jenë dukshëm më të ulëta./Tema