Ministri i Financave, Ervin Mete priti në një takim një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryesuar nga Matteo Colangeli, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Financave njofton se, në takim u diskutua mbi bashkëpunimin me BERZH, në kuadër të financimit të projekteve të rëndësishme zhvillimore, tashmë edhe në kuadër të Planit të Rritjes të Komisionit Europian.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të sjellë një  forcim të mënyrës se si do të përftohen burimet në mbështetje të projekteve rajonale, kryesisht në kuadrin e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

BERZH do të bashkëpunojë ngushtë me Komisionin Europian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes.

Ministri i Financave vlerësoi mbështetjen e BERZH, i cili ka financuar në vazhdimësi projekte prioritare për vendin, përfshirë së fundmi edhe “Rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”.

Krahas kushteve të favorshme të financimit, ekspertiza më e mirë ndërkombëtare dhe standardet e aplikuara për realizimin e këtyre projekteve vlerësohen si një element i rëndësishëm për të siguruar investime të qëndrueshme.

Projektet e sektorit të transportit hekurudhor kanë siguruar së fundmi një mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm nga Qeveria Shqiptare, por edhe nga institucione ndërkombëtare, ku Fondi i Investimit të Ballkanit Perëndimor (WBIF) apo Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor (EWBJF) janë mekanizmat kryesore të financimit të ngritura nga BE dhe institucione ndërkombëtare, që po kontribuojnë në zhvillimin e këtij sektori.