Analisti Arjan Curri beson se kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të përfundojë me masë arresti në burg, ndërsa për Monika Kryemadhin, ai beson se do të lihet në “arrest në shtëpi”.

Curri e bëri komentin në emisionin “Top Story” të moderatores Grida Duma, duke thënë se tashmë Meta dhe Kryemadhi kanë një strategji me njëri-tjetrin se cili do të mbajë më tepër përgjegjësi.

“Për Kryemadhin do të kërkohet masa e “arrestit në shtëpi”, dhe për Metën “arresti në burg”. Ndaj këta kanë një lloj strategjie si të shpëtojnë, është strategjia si te seriali “House of Cards”. Këta e kanë tejkaluar edhe Netflixin. Meta thotë se unë nuk e di çfarë ka bërë Monika me lekët.

Në pjesën e opinionit publik, e bukura është që Meta që ka drejtur këtë vend, nuk ka drejtuar dot të shoqen që menaxhonte shpenzimet. Ata kanë një strategji me njëri-tjetrin që kush do ta mbajë përgjegjësinë e gjësë. Kush do të lehtësojë kë. E kanë real sherrin me njëri-tjetrin apo jo? Monika thotë unë i besoj SPAK-ut, ndërsa Meta e sulmon”, u shpreh Curri.

 

Meta dhe Kryemadhi u thirrën njëri pas tjetrit për të dëshmuar me orë të tëra në SPAK, ndërsa hetohen për pasurinë, lobimin në SHBA dhe aferën CEZ-DIA, ndër të tjera./Tema