Pajisja e re e laparoskopisë në maternitetin “Koço Gliozheni”, sjell një revolucion në trajtimin kirurgjikal gjinekologjik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se të gjitha pacientet, tashmë do të kenë mundësinë të përfitojnë shërbimin e kësaj teknologjie moderne.
“Me imazhe me cilësi të lartë dhe mundësi precize kirurgjikale, kjo teknologji e avancuar lejon mjekët të kryejnë ndërhyrje më të sakta dhe efektive.
Të gjitha pacientet që kërkojnë kujdes shëndetësor në këtë maternitet, tashmë do të kenë mundësinë të përfitojnë shërbimin e kësaj teknologjie moderne”, u shpreh ministrja Koçiu.
Mjeku obstetër gjinekolog Redi Hoxhollari, bëri të ditur se laparaskopia ishte një procedurë që kryhej prej vitesh në këtë maternitet, po se vendosja e aparatit të ri të një teknologjie të fundit ka shtuar opsionet për mjekët, duke lehtësuar punën për trajtimin e pacientëve nëpërmjet kirurgjizë miniinvazive.
“Po ashtu do të kemi rritje të cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve dhe ulje të risqeve operatore, të lidhura me operacionet që nuk mund ti realizonim para se të pajiseshim mr një laparaskop të këtij niveli”, tha ai./OraNews