Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin përmbyllës në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të të gjitha kontinenteve.

 

Ajo ka thënë se në ditët më të vështira për popullin tonë, shtetet demokratike na erdhën në ndihmë duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen e shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet.

 

“Si një komb që u shkatërrua nga vuajtjet e luftës, dua të theksoj se ky moment kërkon që ne të qëndrojmë të patundur, duke siguruar që angazhimi ynë të matet jo me ditë apo muaj, por në qëndrueshmëria e mbështetjes sonë derisa të rivendoset sovraniteti i Ukrainës dhe të mbizotërojë paqja e drejtë. Kjo luftë nuk është vetëm lufta e Ukrainës”, ka thënë Osmani.

 

Presidentja Osmani tha se duhet vazhduar mbështetja e mëtejshme për Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresionit ushtarak rus.

 

“Ndërsa mbështesim Ukrainën, le të sigurohemi që të mos e bëjmë këtë duke shpërblyer agresorin, sepse kjo do të nënkuptonte rishikimin e historisë”, ka thënë Osmani./ata