Një spital në veri të Rripit të Gazës njoftoi se do të mbyllet në orët e ardhshme për shkak të mungesës së karburantit, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të shpëtojë jetën e pacientëve, veçanërisht foshnjave në inkubatorë.
"Spitali Kamal Adwan do të pushojë së funksionuari në orët e ardhshme nëse nuk sigurohet karburanti i nevojshëm për të furnizuar gjeneratorët", paralajmëroi për Anadolu drejtori i spitalit Hussam Abu Safiya.
Ai shtoi se mbyllja e spitalit nënkupton vdekjen e pacientëve, përfshirë edhe foshnjat në inkubatorë.
“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe OKB-së që të sjellin karburant për spitalin sa më shpejt të jetë e mundur dhe para se të jetë tepër vonë”, kërkoi drejtori.
Abu Safiya vuri në dukje se ditët e fundit, dhjetëra fëmijë janë pranuar në spital për shkak të kequshqyerjes.
Më 6 qershor, fondi i OKB-së për fëmijë (UNICEF) tha se nëntë nga 10 fëmijë në Gaza përballen me kequshqyerje ekstreme.
Zyra për Media në Gaza paralajmëroi gjithashtu javën e kaluar se 3.500 fëmijë në Rripin e Gazës janë në rrezik të vdesin nga uria për shkak të bllokadës dhe luftës së vazhdueshme izraelite.
Në ditët e fundit, Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë gjithashtu se spitalet në të gjithë Gazën po përballen me mungesa të mëdha të shumë ilaçeve, duke kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare për të siguruar ilaçet që nevojiten për pacientët dhe të lënduarit.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Të paktën 37.700 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë si dhe rreth 86.500 të tjerë janë plagosur. Më shumë se tetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa