Deklarata përfundimtare e samitit për paqen në Ukrainë në Zvicër nuk është mbështetur nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse.

Sipas një liste të publikuar të dielën nga mikpritësit zviceranë, dokumenti u miratua vetëm nga 80 nga 93 shtetet pjesëmarrëse në mbyllje të ngjarjes dyditore.

Vendet që nuk e mbështetën deklaratën përfshijnë gjashtë shtete nga grupi G20 i fuqive më të rëndësishme ekonomike në botë, Brazili, Meksika, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, India dhe Indonezia.

Armenia, Bahreini, Tajlanda, Libia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kolumbia dhe Vatikani gjithashtu bënë të njëjtë gjë.

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh në favor të përfshirjes së Rusisë në një proces paqeje për Ukrainën.

“Është e vërtetë se paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirë Rusinë”, deklaroi Scholz në konferencën e paqes në Zvicër.

Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Rusisë që të tërhiqet plotësisht nga Ukraina e pushtuar pjesërisht.

“Rusia mund t’i japë fund kësaj lufte sot ose në çdo kohë nëse ndalon sulmet e saj dhe tërheq trupat e saj nga Ukraina”, shtoi Scholz.

Rusia deri më tani ka refuzuar të dëgjojë thirrjen për paqe në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, konferenca si e tillë solli përparim të rëndësishëm.

Kuleba tha se të gjitha vendet që nuk ishin të pranishme ishin gjithashtu të vetëdijshme për shtysën e dhënë nga takimi.

”Në përgjithësi, procesi që është nisur është shumë i mirëpritur. Ne jemi në rrugën e duhur”, tha ai.

Kuleba theksoi përsëri nevojën për të mbështetur Ukrainën ushtarakisht me armët më cilësore të mundshme.

”Sa më e fortë të jetë Ukraina, aq më e gatshme do të jetë Moska për të negociuar paqen”, sipas tij.

Qëllimi i ngjarjes ishte inicimi i një procesi paqeje në të cilin edhe Rusia do të përfshihej në planin afatgjatë.

Zyrtarët nga Moska nuk u ftuan me këtë rast dhe as nuk shprehën dëshirën për të marrë pjesë./ata