Punonjësit e Policisë së Shqipërisë u angazhuan dje së bashku me kolegët gjermanë, në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Itali-Shqipëri, në qytetin e Dortmundit, e vlefshme për Kampionatin Europian të Futbollit “Euro 2024”.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një postim në rrjetet sociale falënderoi efektivët e policisë për kontributin e tyre.
“Efektivët e Policisë së Shtetit kanë punuar së bashku me kolegët e tyre gjermanë për garantimin e rregullit dhe sigurisë në Dortmund. Shumë krenar për sjelljen e tifozëve në rrugë dhe në shkallët e stadiumit”, theksoi Balla.
Patrullat e përbashkëta policore kanë mbështetur policinë gjermane, duke ndërmjetësuar komunikimin dhe masat policore midis shtetit gjerman dhe tifozëve.
Rreth 580 forca të huaja policore janë dislokuar në Gjermani, të vendosura kryesisht në stacione hekurudhore, aeroporte dhe pikat kufitare, krahas funksionimit të Qendrës Kombëtare të Bashkëpunimit Policor./ata