Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, thonë dëshmitarët, duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë.
Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke, ose të nxjerra përsëri në det pasi arritën në ishujt grekë.
Në këtë përfundim ka arritur një analizë BBC-së, bazuar edhe në dëshmitë rrëqethëse të emigrantëve. Sipas BBC roja bregdetare greke kundërshton me forcë të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.
Qeveria greke është akuzuar prej kohësh për kthime të detyruara - duke i shtyrë njerëzit drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Por kjo është hera e parë që BBC ka llogaritur numrin e incidenteve që pretendojnë viktimat se kanë ndodhur si rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.
“15 incidentet që analizuam të datës maj 2020-23, rezultuan në 43 vdekje. Burimet fillestare ishin kryesisht mediat lokale, OJQ-të dhe roja bregdetare turke. Verifikimi i llogarive të tilla është jashtëzakonisht i vështirë, dëshmitarët shpesh zhduken, ose janë shumë të frikësuar për të folur. Por në katër nga këto raste ne ishim në gjendje të vërtetonim rrëfimet duke folur me dëshmitarë okularë”, thuhet në dokumentarin e BBC.
Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke. Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u gjuajtën. Në disa incidente të tjera, migrantët thanë se ishin futur në gomone të fryrë pa motorë, të cilat më pas u shfrynë, ose dukej se ishin shpuar.
Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator 2021. Ai tha se po planifikonte të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.
“Ne mezi ishim ankoruar dhe policia erdhi nga pas. Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, i shihje vetëm sytë", tha ai.
Ai dhe dy të tjerë, një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, u transferuan në një varkë të rojes bregdetare greke, tha ai, ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme.
“Ata filluan me [tjetrin] kamerunasin. E hodhën në ujë. Ai tha: 'Më shpëto, nuk dua të vdes... dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë. Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu.
I intervistuari thotë se rrëmbyesit e tij e kanë rrahur. " Ishte sikur po goditnin një kafshë”. Dhe më pas ai thotë se e kanë shtyrë edhe atë në ujë - pa jelek shpëtimi. Ai mundi të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve, Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana, u gjetën në vijën bregdetare turke.
Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë që autoritetet greke të hapin çështjen për vrasje të dyfishtë./Tema