“Lule Sajza” titullohej shfaqja artistike, bashkëpunim i teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e cila u ndoq me interes nga artdashësit në qytetin e gurtë.

Pjesa me regji të Endri Çelës trajton motive nga liria e privuar në ish-diktaturën komuniste duke sjellë dëshmi të shkëputura nga “Zërat e Kujtesës”.

Në mënyrë simbolike “Lule Sajza” u shfaq në mjediset e Kalasë së Gjirokastrës vendi ku persekutoheshin dhe burgoseshin kundërshtarët politikë të regjimit komunist.

Interpretimi në këtë shfaqje i aktores së mirënjohur Rajmonda Bulku solli më shumë emocione tek spektatorët.


“Kur më tha regjisori do të shkojmë në Gjirokastër i thashë nëse vemi në Gjirokastër kërkoje që ta shfaqim në kala dhe u bë, por ajo dëshirë më erdhi brenda vetes, thashë është i vetmi vend që në fund të fundit thuhen disa gjëra të trishta që duhen kujtuar, që s’duhen harruar, që u duhet thënë brezave, që duhet t’ja themi njeri-tjetrit”, tha Bulku.

Mbresa të veçanta nga kjo shfaqje transmetuan edhe aktorët e tjerë pjesëmarrës.

 

“Ishte një eksperiencë goxha ndryshe nga teatri sepse pavërisht se në teatër ne e kemi publikun shumë afër këtu ndihej akoma dhe më tepër dhe shikimi sepse tjetër skena ndërsa këtu ishim shumë afër njerëzit dhe emocionet kanë qenë shumë herë më të forta”, tha aktorja Valentina Myteveli.

“Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe kishte pjesëmarrje mjaft të mirë dhe na vjen mirë që shihen shfaqje të tilla si një zhanër i tillë është shumë i vështirë qoftë nga ne për tu realizuar, qoftë edhe nga publiku për tu përceptuar”, tha aktorja Adriana Tolka.

Në kuadër të sezonit veror dhe kulturës, në qytetin e Gjirokastrës do të organizohen evente të ndryshme artistike. Programi i aktiviteteve krahas prezantimit të vlerave kulturore synon edhe tërheqjen e turistëve./Tema