Drejtoria Rajonale e Turizmit dhe Kulturës, Shkodër i është bashkuar festimeve të 18 majit, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale aspekte nga aktivitetet e ndryshme që u zhvilluan në Parkun Arkeologjik Shkodër, që mirëpriti vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj të moshave të ndryshme.

“Kjo ditë e shënuar përbën një ngjarje të veçantë në përjetimin e trashëgimisë historike, ku vizitorë nga e gjithë bota janë pjesë e një sërë aktivitetesh në Parkun Arkeologjik Shkodër, duke filluar nga facepainting me motive historike, vizatime dhe skica nga të vegjlit në këndin Kalaja e Mrekullive, gatime tradicionale me shije autentike të kuzhinës shqiptare, biseda me arkeologun e qytetit Zamir Tafilica që hedhin dritë mbi historinë e kësaj kështjelle të lashtë”, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja, veçoi se organizimeve të sotme në Parkun Arkeologjik Shkodër, nuk munguan edhe animacionet dhe muzika që solli një përjetim argëtues dhe edukativ për këtë trashëgimi të çmuar të vendit.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve u shënua edhe në Muzeun Ikonografik Onufri.

Edukimi përmes vizatimit dhe ngjyrosjes me elemente dekorative të veshjeve tradicionale që janë pjesë e koleksionit muzeor të Muzeut Etnografik Berat, ishte në qendër të këtij aktiviteti me fëmijët.

Sipas MEKI, këtë vit janë mbi 3,500 nxënës shkollash nga gjithë Shqipëria të përfshirë në programin “Edukimi Përmes Kulturës”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve sot të gjitha muzetë janë të hapura dhe falas në orarin 09:00-22:00./ata