Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.
“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.
Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.
“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.
Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.
Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./ata