Teksa prokurorët e strukturës së Posaçme SPAK, kanë vënë në lupë veprimtarinë ekonomike të kompanisë së pastrimit të mbetjeve “Eco Tirana”, drejtuesit e kësaj të fundit shqiptarë dhe italianë, në fillim të muajit Qershor 2024, kanë arkëtuar përmes dy transaksioneve një shifër prej 2 miliardë e 558 milionë lekë të vjetra.
Dy pagesat janë kryer nga buxheti i bashkisë së Tiranës, që drejtohet nga Erion Veliaj, të cilat mbajnë datën 7 qershor 2024.
E para pagesë që është kryer në llogarinë e “Eco Tirana” mban shifrën prej 104.092.046 lekë të reja. Ndërsa pagesa e dytë mban shifrën prej 151.665.300 lekë të reja.
Prej disa muaj SPAK, po heton veprimtarinë e kësaj kompanie të themeluar në vitin 2016 me 51 për qind të aksioneve nga bashkia e Tiranës, e cila ka autorizuar Keti Luarasin dhe 49 për qind të aksioneve nga italianët e “AGSM AIM”.
E ndërsa, dy nga anëtarët e Këshillit Administrativ të kësaj kompanie, Taulant Tusha, i arrestuar nga SPAK në muajin dhjetor 2023 dhe Redi Molla i arrestuar në muajin Mars 2024, janë larguar nga kjo kompani, sërish skema e veprimtarisë vijon duke arkëtuar mijëra euro çdo muaj nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.
Në vend të Taulant Tushes, në Këshillin Administrativ të kompanisë “Eco Tirana” është vendosur prej muajit dhjetor 2023 Anjeza Çapllani, e cila njëherësh është vendosur administratore kësaj kompanie.
Kurse në vend të Redi Mollës, në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë “Eco Tirana” është emëruar Enkeleida Omeri, e cila njëherësh është drejtore e Administratës në Bashkinë Tiranë./OraNews