Nga Ynès Khoudi, Le Monde
Pelikanë dalmat, breshka deti, uji i kristaltë… Bregdeti i jugut të Shqipërisë është një nga zonat e fundit të paprishura të Detit Mesdhe. Është një zonë e pacenuar që po josh investitorë si Xhared Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe dhëndri i ish-presidentit amerikan, aktualisht kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, Donald Trump.
Projekti i tij u zbulua fillimisht nga New York Times, dhe më pas u konfirmua nga vetë Kushner në platformën e mediave sociale X. Me një investim 1 miliard dollarë, Kushner planifikon të ndërtojë hotele, vila dhe apartamente luksoze në Serbi dhe Shqipëri, me afate kohore ende të panjohura, nëpërmjet kompanisë së tij Affinity Partners.
Bregdeti i Shqipërisë, i quajtur ndonjëherë edhe “Maldivet e Evropës” nga disa operatorë turistikë, është skena e një bumi të vërtetë turistik. Vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi rritjen e katërt më të lartë të ardhjeve ndërkombëtare të turistëve, me 56 për qind më shumë sesa në vitin 2019, sipas Organizatës Botërore të Turizmit.
Rruga e migrimit ciklik të zogjve
Zona e shënjestruar nga planet e ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë është delta e lumit Vjosë, në jug të vendit, në hyrje të detit Adriatik. Ky lumë konsiderohet si “delta e madhe e lumit më të paprekur në Evropë”, thotë Zhill Pinej, drejtor i kërkimit në CNRS. “Vjosa është një nga lumenjtë e fundit natyrorë të kontinentit”-thekson ai.
Ndër planet e Kushner, është ndërtimi i një kompleksi hotelesh luksozë nga marka zvicerane “Aman Resorts” në ishullin e Sazanit, i vendosur në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, i njohur për rëndësinë mjedisore dhe biodiversitetin e tij që nga viti 2010. Ngjitur me të, gadishulli i Zvërnecit, teorikisht i mbrojtur si një pasuri natyrore, është sërish i lakmuar nga dhëndri i Trump.
“Ai është një pjesë integrale e ekosistemit të Vjosës”-shprehet Gabriel Shvaderer, drejtor i organizatës EuroNatur. Laguna e Nartës, në zemër të deltës, është një terren kyç për mbarështimin dhe ushqimin për shpendët më emblematikë të ujit të Evropës Juglindore, përfshirë pelikanin dalmat dhe flamingot rozë.
Laguna është një nga zonat më të rëndësishme në “rrugën e migrimit të Adriatikut” që përdorin shumë zogj për të shkuar në Afrikën e Veriut. “Si evropianë, a ka ndonjë gjë që nuk duam ta shkatërrojmë?”- pyet i brengosur Ulrih Ajshelman, drejtor i organizatës mjedisore Riverwatch.
“Duket sikur ne s’do të ndalemi, derisa të shkatërrohen edhe zonat e fundit natyrore”- thekson më tej ai. Ekologu, i cili ka vizituar vendin, flet për breshkat, dunat e rërës dhe flamingot rozë, që popullojnë këtë zonë të bregdetit të Mesdheut. “Rreth këtij lumi ka pasur deri tani shumë pak aktivitet njerëzor rreth këtij lumi. Dhe ky është një rast i jashtëzakonshëm”- shpjegon Pinej.
Ndryshimet në ligj
Vjosa ka qenë e lakmuar që më herët, sidomos gjatë ndërtimit të hidrocentraleve në vitin 2019. Zëra po aq të njohur si aktori amerikan Leonardo DiKaprio dhe drejtori i përgjithshëm Rajan Gellert i markës së veshjeve Patagonia, janë shprehur në favor të ruajtjes së zonës. Ky aktivizim i dha mundësi Vjosës të marrë etiketën “zonë e mbrojtur”.
Por ishte një fitore jetëshkurtër. Në shkurt të këtij viti, ligji që rregullon ndërtimin e infrastrukturës në zonat natyrore të kategorizuara si të mbrojtura, u ndryshua nga Kuvendi i Shqipërisë disa javë përpara se Kushner të prezantonte planet e tij të zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Tani ai autorizon dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura për hotele ose resorte turistike me 5 yje ose me lart. “Pse qeveria shqiptare nxitoi kaq shumë ta ndryshonte këtë ligj”- pyert Shvaderer.
Nuk u konsultua askush
Projektligji, i paraqitur që në nëntor 2023, u shqyrtua dhe miratua me shpejtësi në shkurt 2024 nga parlament i dominuar nga Partia Socialiste. “Ligjvënësit propozuan një projektligj që u hodh për konsultim në parlament me shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Megjithatë, në momentin e fundit, qeveria dërgoi versionin e saj të ligjit për zonat e mbrojtura dhe parlamenti e miratoi atë version. Problemi është se askush nuk u konsultua”- shprehet Gjergji Vurmo i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, bashkautor i një raporti të vitit 2021 për korrupsionin politik në Shqipëri për “Transparency International”.
Riçard Grenëll, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani nën presidencën e parë Trump, dhe ish i dërguar i posaçëm për negociatat e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës gjatë viteve 2019- 2021, është shumë i lidhur me projektin e zhvillimit të hoteleve.
Ish-diplomati e ka promovuar në shumë raste turizmin në Shqipëri përmes llogarisë së tij në Instagram, sidomos në verën e vitit 2023, gjatë një pushimi të kaluar në shoqërinë e Xhared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilët pozuan përkrah kryeministrit Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013.
Grupi i hoteleve luksoze zvicerane “Aman Resorts”, që mund të menaxhojë objektin e ndërtuar në ishullin e Sazanit, është në pronësi të manjatit të pasurive të paluajtshme me origjinë ruse, Vladislav Doronin, një shtetas suedez.
Midis viteve 2022-2023, kreu i sigurisë së Grupit Aman ishte Çarls Mekgonikal, një agjent i kundërzbulimit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) i SHBA-së, i cili u gjykua dhe u dënua me dy vjet e katër muaj burg në shkurt të këtij viti, për shkak se kishte punuar fshehurazi për oligarkun rus Oleg Deripaska. Ndër të tjera, ai kishte marrë 225 mijë dollarë nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.
Mundësi ekonomike
Që nga qershori 2014, Shqipëria është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësimet e tij në lidhje me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë”- shkruan delegacioni i BE-së në Shqipëri në një përgjigje me e-mail për Le Monde.
Ai shpjegon më tej:”Shqipëria, si një vend kandidat, duhet të përafrojë legjislacionin e saj me ligjet mjedisore të BE”. Aeroporti do të bëhet më i madhi në vend dhe do të vendoset në periferi të qytetit të Vlorës, dy orë me makinë nga aeroporti i Tiranës, kryeqytetit të vendit.
“Në rastin e këtij aeroporti, ideja ishte edhe krijimi i precedentit të ndërtimit në një zonë të mbrojtur”- thotë Zydjon Vorpsi, menaxher projekti në PPNEA, një OJQ shqiptare për mbrojtjen e natyrës. “Legjislacioni për investimet strategjike ngre shumë shqetësime (…), pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura”-theksoi delegacioni i BE-së në Shqipëri.
Aq më tepër që sipas OJQ-ve, tashmë është zgjuar interesi. “Xhared Kushner është një emër i njohur, ndaj bën më shumë bujë. Por kompanitë e mëdha janë interesuar prej vitesh për këtë vend”- thotë Ajshelman.
Të ndërgjegjshme për mundësitë ekonomike që mund të përfaqësojë turizmi për një vend që prej kohësh ka qëndruar shumë i izoluar, OQJ po mbrojnë turizmin e gjelbër. “Krijimi i parqeve kombëtare dhe mbrojtja e peizazhit dhe natyrës, mund të jetë shumë më fitimprurëse sesa të kthesh gjithçka në një beton gri”- argumenton Shvaderer./TeSheshi