Nga Abdulla Diku

Nuk ka shkruar njeri për to e as jan përmendur ndonjëherë si të tillë. Gjenden mbi dhe ndërmjet fshatrave Dars e Bel, bashkia Klos, dhe poshtë fshatit Xibër-Hane.

Më së shumti mund të keni dëgjuar për Grykën e Gjabzës.

Nëse e keni dëgjuar si Gryka e Xhabzës, mos e vini re, pasi është një deformim i shqipes. Njëlloj si ti thuash gjelit - xhel…

Janë kanione shumë interesante dhe asnjëherë të eksploruar nga shqiptarët.

Para pak ditësh hasa në tre të rinj italianë që po i eksploronin në gjithë gjatësinë e tyre.

Siç thashë, jan kanione vërtet interesante. Për shkak të uljes drastike të shtratit të lumit, nga 650 në 350 metra mnd në një distancë prej rreth një kilometër, një pjerrësi prej 30%, janë plot katarakte e ngushtica ku mund të kalosh lehtësisht nga njëra anë në tjetrën.

Kanionet janë krijuar prej përroit që përshkon pellgun e fshatit Ketë dhe Xibër-Hane dhe pasi uji ka “sharruar“ prej milona vitesh një bllok të stërmadh gëlqerorësh me lartësi që shkon deri 1300 metra mnd.

Pasi ka përshkruar Grykën e Gjabzës, prej ujrave krijohet ‘Prroi i Darsit’. Aktualisht HEC-i i ndërtuar i ka lënë kanionet si “kanionet pa ujë”, por gjithsesi, bukuria nuk ju ka humbur.

Pjesa më e madhe e tyre, sektori i mesit, është e përshkueshme në këmbë. Rruga këmbësore e vështirësisë së lartë nga fshati Xibër-Hane për në Klos. Pra kjo rrugë krijon mundësinë për t’i parë këto kanione. HEC-i ka bërë edhe një tunel në shpatin e malit mbi këto kanione dhe kushdo që ka frikë prej rrugës së kanioneve mund të ecë nëpër tunel. Tuneli ka dhe dy dalje për të dalë e parë mbi kanionet. Pra mund të shihen edhe nga dy daljet e tunelit.

Në grykën e Gjabzës është vepra e marrjes së dy kanaleve ujitëse: të fshatrave Bel - Fullqet dhe Dars. Vetë kanalet janë gdhendur në shpatet vertikale shkëmbore, gjë që të krijon mundësinë t’i shohësh kanionet nga sipër.

Ecja buzë kanalit në një lartësi 80-100 metra mbi shtratin e lumit është vërtet plot adrenalinë.

Mund të ishin padyshim një mundësi e shkëlqyer për turizmin malor.

Fshati Dars veçanërisht është plot kulla guri tradicionale dhe ka toka mjaft pjellore. Prania afër kanionit e bën shumë të favorshëm ndërthurjen e vlerave natyrore me ato kulturore. Fakti që në periudhën e verës kanë pak ujë prej HEC-it, rrit potencialin e eksplorimit të tyre.

Edhe prania e fosileve detare, miliona vjeçare i bën akoma më shumë interesantë.

Pjesa e poshtme e tyre përbëhet nga blloqe masive të mermerizuara e lëmuar prej ujit.

Janë një destinacion shumë i bukur turistik që duhet zhvilluar dhe promovuar./SyriNet

Image

 


  •