Redaksitë e ngritura sipas fushave pranë Akademisë së Shkencave paraqitën sot, në takimin përmbyllës për fazën e përgatitjes së fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, relacione për punën e deritashme, për përgatitjen e fjalësit paraprak, hartimin e listave dhe këmbimin e tyre me listat e hartuara nga redaksitë në Prishtinë, konvergimin e tyre në një fjalës të përbashkët dhe problemet që kanë dalë e rekomandimet për zgjidhje.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH e kryeredaktor i “Enciklopedisë shqiptare”.
Në fjalën e tij akad. Gjinushi theksoi se raportimi me të dhëna numerike në këtë fazë është i domosdoshëm si për të ditur ç’punë është bërë, ashtu dhe për të përllogaritur mirë raportet midis fushave.
Caktimi i numrit të redaksive dhe emërtimi i tyre, caktimi i numrit të anëtarëve të secilës prej redaksive, përbëjnë të dhëna orientuese për vendin që do të kenë përafërsisht në kuadër të “Enciklopedisë” në tërësi.
Akad. Gjinushi vlerësoi më tej si dukuri pozitive që fjalësit e përgatitur tregojnë një shkallë pavarësimi të dukshëm nga fjalorët enciklopedikë ekzistues, që do të thotë se po propozohet një lëndë enciklopedike e re.
Ai tërhoqi vëmendjen në domosdoshmërinë e caktimit të pragjeve të njëjtë të pranimit në ESH, dhe kjo duhet bërë me shembuj, që do të shërbejnë si njësi matëse.
Njëherësh u duhet qendruar larg pseudokritereve. Kryesore është respektimi i ekuivalencës.
Gjinushi theksoi rëndësinë e zbatimit të një disilpline të vetme, jo vetëm shkencore, por edhe kalendarike.
Në vijim dr. Arian Leka, përgjegjës i botimeve enciklopedike, informoi për të dhënat e përditësuara rreth përgatitjes së fjalësit të përbashkët nga redaksitë e fushave.
Prej të dhënave të fundit rezulton se 14 redaksi i kanë bashkuar listat dhe po punojnë për fjalësin e përbashkët.
E kanë arritur këtë redaksitë e këtyre fushave: komunikimi dhe mjetet e komunikimit; gjeologjia, minierat e gjeodezia; matematikë-fizika e informatika; energjitë dhe energjetika; religjionet; sistemet politike dhe drejtësia; kimia dhe biologjia; mjekësia; industritë dhe teknologjitë; mjedisi; shkencat shoqërore; arsimimi; gjuhësia (albanologjia); bujqësia dhe blegtoria.
Nga redaksitë e Shqipërisë, 11 të tjera e kanë përfunduar fjalësin dhe janë në proces për sjelljen në parametra sipas udhëzimeve të Redaksisë Qendore, aty ku janë tejkaluar përqindjet apo nuk janë respektuar kriteret e brendshme të përfaqësimit sipas emëtesave të përgjithshme dhe emërtesave të përveçme.
Në këtë fazë të procesit janë këto redaksi: historia ushtarake dhe Lufta e Dytë Botërore (nga ana ushtarake); arkeologjia dhe lashtësia; letërsia; trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar; artet skenike, pamore dhe multimediale; historia e shek. XX; gjeografia fizike; gjeografia sociale; ekonomia dhe financat; sportet; inxhinieritë, ndërtimtaria, arkitektura.
Më shumë sesa gjysma e redaksive kanë informuar se ua kanë dërguar fjalësin e tyre kolegëve në Kosovë.
Me gjithë zhvillimet, mbetet problematike shmangia e mbivendosjeve, dhe për këtë kërkohet takim i redaksive të grupfushaveve apo i redaksive që kanë afri në tematikat e artikujve: mjedisi dhe bujqësia; artet dhe letërsia; filozofia, religjionet, shkencat shoqërore dhe arsimimi.
Ndonëse është ende herët për përfundime, vërehet një tejkalim i lehtë i shifrave kundrejt totalit prej 10 mijë njësish enciklopedike. Shifrat pritet të kenë rritje, pasi 13 redaksi nuk kanë ende një fjalës të përbashkët. Këto të dhëna duhet të plotësohen, përmes tyre lexohet prirja. Raste të shmangies nga prirja vërehen në listat e redaksisë së historisë së shek. XX, nga arkeologjia dhe lashtësia; sistemet politike dhe drejtësia; artet skenike, pamore dhe multimediale dhe gjeografia sociale./ata