Pas një seance dëgjimore me përfaqësues të palës ankimore dhe institucioneve qeveritare, që zgjati rreth 7 orë, Gjykata Kushtetuese vendosi sot që t’u lërë një afat deri në 21 qershor ankimuesve që kërkojnë pezullimin e ligjit “Për tatimin e profesionistëve të lirë”, që të paraqesin argumente shtesë, pasi nga padia e depozituar nuk evidentohen pasoja të pariparueshme.
Gjykata njëkohësisht vendosi të refuzojë miratimin e kërkesës për shfuqizimin e pjesshëm të disa e neneve në ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se do të vijojë procesi gjyqësor me shqyrtimin e provave dhe përgjigjet e pyetjeve të administruara, ndërsa njoftoi se seanca me konkluzionet përfundimtare do të mbahet më 25 qershor, ora 10:00.
“Në lidhje me kërkesën për pezullim, Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, pasi nuk evidentohen pasoja të pariparueshme dhe gjithashtu duke marrë në konsideratë që procesi është duke u gjykuar me përparësi. Gjykata mban parasysh çështjen e afateve të ngritura, të cilat do të trajtohen në kuadër të vendimmarrjes më pas. Gjithashtu Gjykata e konsultuar më parë cakton që palët të depozitojnë parashtrimet, provat nëse kanë apo përgjigjet e pyetjeve që u administruan në seancë brenda datës 21.06.2014, ora 16:00. Seanca me konkluzionet përfundimtare do të zhvillohet më datë 25.06.2024, ora 10:00”, pohoi ajo.
Pas seancës, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se provuan para Gjykatës Kushtetuese se ky ligj është antikushtetues, ka trajtim preferencial, cenon veprimtarinë ekonomike dhe se efektet mbi biznesin janë shkatërruese. Sipas saj, deri tani janë mbyllur 11 mijë biznese dhe pritet që për shkak të këtij taksimi të ketë rritje të çmimeve.
“Ligji i tatimeve në këto 10 vite është ndryshuar 23 herë, që do të thotë 2.3 herë në vit për çdo vit duke krijuar një pasiguri juridike nga një anë dhe nga ana tjetër duke krijuar një trajtim preferencial për një pakicë që është duke u përjashtuar nga taksat. Favore fiskale po i jepen grupeve që nuk përbëjnë shumicën, ndërkohë që 169 profesione të lira po paguajnë një tatim të padrejtë”, u shpreh ajo.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u ankimua fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të Partisë Demokratike./ata