Në 5 muajt e parë të vitit buxheti i shtetit ka arkëtuar afro 287.1 miliardë lekë apo 29 miliardë lekë më shumë se një vit më parë duke vijuar perfomancën e mirë në mbledhjen e të ardhurave përgjatë këtij viti. Po ashtu, të hyrat në buxhet kanë tejkaluar planin për këtë periudhë në nivelin 103. 4 për qind, duke rikonfirmuar kështu dritën jeshile ndaj uljes së tatimit mbi pagat e larta por edhe lehtësive të tjera fiskale që po diskutohen aktualisht.
Të ardhurat tatimore, për 5-mujorin 2024 u realizuan në masën 157.3 miliardë lekë, apo rreth 17.3 miliardë lekë ose 12.3 %më shumë se një vit më parë. Ndikim të rëndësishëm ka pasur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar neto, i cili është arkëtuar 24.2 për qind më shumë se një vit më parë, me një realizim në nivelin 23.2 miliardë lekë. Po ashtu me rritje prej 17.5 për qind kanë rezultuar edhe të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, dhe 3,5 për qind më shumë se plani; taksat nacionale janë realizuar në nivelin e 16.4 miliardë lekë me rritje 14.2 për qind në raport me 5 mujorin 2023.
Perfomancë pozitive kanë pasur edhe ë ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 63.4 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Ndërsa tatimi mbi fitimin, i realizuar në masën 27.6 miliardë lekë, rezulton me rënie 5.8 për qind në raport me 2023, për shkak të efektit të taksës për prodhuesit e energjisë në vitin 2023.
Sa i takon përfomancës së doganave, të ardhurat regjistrohen në lerën 89.7 miliardë lekë, 5.6 miliardë lekë ose 6.6% më shumë se 5-mujori 2023.
Pavarësisht kursit të këmbimit, TVSH-ja në import vijon të jetë në rritje me 3.6 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë dhe pse 0.7% më pak se plani , akciza është realizuar në nivelin e 23.1 miliardë lekë, me një rritje prej 9.4% krahasuar me 2023, ndërsa të ardhurat nga renta minerare dhe taksat doganore kanë qenë në nivel më të ulët.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 5 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 236.6 miliardë lekë , apo rreth 14.3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë./Tema