Kryetari i Partisë Demokratike, Demokratët Euroatlantikë Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Amerikan NID, Robert Benjamin, ku u diskutua mbi përparësitë kryesore të axhendës politike të Partisë Demokratike, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit.
Gjatë takimit, Basha theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj transparencës dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet kryesor për Partinë Demokratike. Ai vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e institucioneve ndërkombëtare, si dhe rolin e rëndësishëm të Institutit Amerikan në fuqizimin e këtyre përpjekjeve.
Basha më tej vuri theksin tek rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe alternativën politike dhe programore për zgjedhjet e ardhshme.
“Kënaqësi të prisja sot drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan NDI, Robert Benjamin. E falënderova Benjamin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e NDI, duke vlerësuar me mirënjohje përkushtimin e tyre në promovimin e shtetit të së drejtës, vlerave demokratike dhe euroatlantike. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetik për mbrojtjen dhe avancimin e interesave tona kombëtare, si dhe përparimin tonë në rrugëtimin drejt BE-së”, shkruan Basha.
“Biseduam për prioritetet tona në luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe alternativën tonë politike dhe programore për zgjedhjet e ardhshme. Korrupsioni vazhdon të mbetet pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë, për të ndërtuar jetën e tyre në vendin tonë”, vijon Basha.
“Në këtë kuadër, theksova mbështetjen tonë pa kushte për SPAK-un, dhe angazhimin tonë propozues, përmes nismave ligjore të depozituara prej muajsh në parlament, për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit, sidomos në nivelet e larta të politikës. E njoha Benjamin me ofertën tonë konkrete, të prezantuar përpara shqiptarëve, produkt i ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, që garanton mirëqeverisjen dhe fundin e pandëshkueshmërisë, si një etalon i modelit tonë politik. Tregues i vendosmërisë sonë për t’u ofruar shqiptarëve një alternativë qeverisëse që kujdeset vetëm për ata”, theksoi Basha.
“Bindja jonë, sikurse është bindja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, është se Shqipëria meriton më shumë se ofertat e skaduara politike të një grushti të vogël politikanësh që mendojnë vetëm për hallet e tyre”, përfundon Basha./ata