Në sulmet intensive të Izraelit që shënjestruan të gjithë qytetet e Rripit të Gazës në ditën e tretë të Kurban Bajramit, mësohet se shumë palestinezë janë vrarë dhe janë plagosur, përfshirë në mesin e tyre fëmijë dhe gra.

Punonjësit e ndihmës së parë palestineze deklaruan se një person u vra dhe shumë të tjerë u plagosën në bombardimet izraelite që shënjestruan një grup civilësh në lagjen saudite, që ndodhet në perëndim të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite bombardoi dhjetëra shtëpi në lagjen saudite. Edhe njësitë e artilerisë vazhdojnë të bombardojnë lagjen që nga mëngjesi i së martës. Avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë që i përkiste familjes Abu Safiye në qarkun Sheikh Ridwan në veri të qytetit të Gazës, duke shkaktuar një zjarr në zonë dhe shumë të vrarë dhe të plagosur.

Dëshmitarët që kanë folur për gazetarin e AA-së thanë se avionët luftarakë izraelitë në orët e para të së martës shkatërruan dy shtëpi të familjeve Rai dhe Medhun në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Rripit të Gazës dhe shtëpinë e familjes Harb në kampin Bureij.

Burimet nga spitali "Dëshmorët e Xhamisë Al-Aksa" në qytetin Deir al-Balah thanë se 13 të vrarë dhe shumë të plagosur, kryesisht fëmijë dhe gra, u sollën në spital pasi avionët izraelitë bombarduan 3 shtëpi. Dy palestinezë humbën jetën në sulmin izraelit me dron që shënjestroi një grup civilësh në perëndim të Rripit të Gazës.

Sipas burimeve të spitalit Al-Ahli Baptist, dy palestinezë kanë vdekur dhe një tjetër u plagos si pasojë e sulmit me mjete ajrore pa pilot të Izraelit në rrugën Sahabe në Gaza. Sipas burimeve të Spitalit Evropian të Gazës, dy palestinezë humbën jetën si pasojë e bombardimeve të Izraelit në qytetezën Kerara, që ndodhet në lindje të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë që vazhdojnë sulmet intensive të ushtrisë izraelite në qytetin Rafah, sipas burimeve të Spitalit Evropian të Gazës, si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtria izraelite në lindje të qytetit ka humbur jetën një palestinez. Sipas deklaratave të dëshmitarëve, artileria dhe avionët luftarakë izraelitë sulmuan vazhdimisht pjesë të ndryshme të Rafahut që nga mëngjesi i së martës, veçanërisht lagjen Tal Al-Sultan në perëndim të qytetit.

Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, kanë humbur jetën 37.372 persona dhe janë plagosur 85.452 të tjerë./aa