Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un janë takuar në Phenian.
Në deklaratën e Pallatit të Kremlinit thuhet se takimi mes Putinit dhe liderit verikorean nisi me një ceremoni të mbajtur në Phenian. Takimi vazhdoi në një format të zgjeruar me pjesëmarrjen e ministrave dhe zyrtarëve të dy vendeve.
Duke folur në pjesën e hapur për media, Putin potencoi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Koresë së Veriut. "Rusia dhe Koreja e Veriut janë të lidhura me miqësi solide dhe marrëdhënie të mira fqinjësore prej vitesh. Ndërveprimi midis vendeve tona është i bazuar mbi parimet e barazisë dhe respektit të ndërsjellë për interesat e njëri-tjetrit", tha ai.
"Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe të palëkundur për politikën ruse, përfshirë çështjen e Ukrainës. Këtu kam parasysh luftën tonë kundër politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste që SHBA-ja dhe aleatët e saj janë përpjekur t'i imponojnë Rusisë prej vitesh", tha Putin.
Ai shtoi se është përgatitur një dokument që do të zgjerojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu shpresën se takimi me Kim Jong-un do të jetë produktiv.
Putin e ftoi liderin e Koresë së Veriut Kim në Moskë.
- "Ne synojmë të forcojmë më tej lidhjen tonë strategjike me Rusinë"
Kim Jong-Un theksoi rëndësinë e takimit të tij me Putinin. "Marrëdhëniet midis vendeve tona kanë hyrë në një periudhë të zhvillimit më të lartë dhe janë të një rëndësie strategjike. Marrëdhëniet midis vendeve tona kanë hyrë në një periudhë të lartë prosperiteti që është i pakrahasueshëm me periudhën e marrëdhënieve koreano-sovjetike në shekullin e kaluar", tha ai.
Lideri verikorean shprehu mbështetjen e tij për politikën e jashtme të Rusisë. "Qeveria e Koresë së Veriut vlerëson misionin dhe rolin e rëndësishëm të Federatës Ruse në ruajtjen e stabilitetit dhe ekuilibrit strategjik në botë dhe ne mbështesim qeverinë, ushtrinë dhe popullin rus në zbatimin e operacionit special ushtarak në Ukrainë për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, interesat e sigurisë dhe integritetin territorial", tha Kim Jong-un.
Ai theksoi se situata në botë po ndryshon dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë. "Në këtë rast, ne synojmë të forcojmë më tej lidhjen tonë strategjike me Rusinë dhe administratën ruse. Për më tepër, ne do të mbështesim plotësisht pa kushte politikat e Rusisë", tha Kim Jong-un./aa