Kryeministri Edi Rama ka uruar kombëtaren shqiptare të futbollit pas barazimit me Kroacine në ndeshjen e vlefshme për Euro 2024.
“Kjo quhet krenari”, shkruan kreu i qeverisë teksa thotë se kjo Shqipëri ishte shumë e përkushtuar përballë një skuadre shumë më të fortë në letër.
“Përballë një skuadre shumë më të fortë në letër dhe me shumë më shumë eksperiencë në këto nivele ishte një Shqipëri e re, e përkushtuar me mish e me shpirt ndaj flamurit kuqezi, e cila të mbush me krenari, me dashuri, me respekt e me optimizëm për rrugën përpara, përtej këtij Europiani, falë djemve të jashtëzakonshëm dhe publikut të saj po aq të jashtëzakonshëm”, tha Rama.
“Kokën lart dhe kështu përpara, me pasion, shpirt skuadre, përpjekje deri në fund për të bërë më të mirën”, shtoi Rama. Krahas postimit të tij ai ka shpërndarë edhe një foto nga momenti i festimit të golit të parë të shënuar nga Qazim Laçi.
Ndeshja ndaj Kroacisë përfundoi me rezultatin 2-2. Shqipëria bëri një lojë shumë të bukur, kaloi e para në avantazh dhe pasi kroatët mundën të përmbysnin rezultatin gjetën forcat për ta barazuar atë./tvklan.al