Në shtetin federal Luiziana të SHBA-së është miratuar një ligj që kërkon që posterë me "Dhjetë Urdhërat" të varen në klasat e shkollave shtetërore.
Guvernatori i Luiziana-s, Jeff Landry nënshkroi legjislacionin që kërkon që "Dhjetë Urdhërat" të vendosen në të gjitha klasat e shkollave publike me font mjaft të madh për t'u lexuar lehtësisht.
Posterët, të cilët do të shoqërohen me "shpjegime kontekstuale me katër paragrafë që shpjegojnë se si "Dhjetë Urdhërat" kanë qenë pjesë e rëndësishme e edukimit publik në SHBA për gati 300 vjet", pritet të shfaqen në klasa deri në vitin 2025.
Sipas ligjit, shpenzimet për posterët do të mbulohen nga donacionet e jo nga fondet shtetërore.
Në një deklaratë të përbashkët të disa organizatave, përfshirë Unionin Amerikan për Liritë Civile (ACLU) thuhet se ky ligj i pengon fëmijët të marrin mësim të barabartë dhe do të bëjë që nxënësit e besimeve të ndryshme të mos ndjehen të sigurt në shkolla.
Në deklaratë gjithashtu theksohet se ndaj këtij vendimi do të fillojë procedurë ligjore.
"Dhjetë Urdhërat" njihen si urdhrat e para hyjnore që iu dhanë profetit Musa në malin Sinai./aa