Rreth 4 mijë të plagosur që u nxorën nga rrënojat e ndërtesave të shembura në tërmetet me qendër në KahramanmaraÅŸ të Türkiye-s u trajtuan në spitalin e qytetit Adana, raporton Anadolu.

Zv/kryemjeku Dr. Özgür Kara tha për gazetarin e AA-së se që nga dita e parë e tërmetit kanë qenë në detyrë aktive.

Ai tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e transportimit në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt për të prekurit e tërmetit në spital dhe shpjegoi se që nga momenti i parë kanë punuar në bashkëpunim me të gjithë institucionet.

Sipas tij, bashkëpunimi ka qenë i lartë, kryesisht me AFAD, shërbimin e urgjencës 112 dhe Forcat e Armatosura Turke. "Me helikopterët e Forcave të Armatosura Turke që nga dita e parë kemi marrë rreth 750 të lënduar përmes 150 fluturimeve që janë kryer. Qytetarët tanë që nxirren ende nga rrënojat, edhe pse një e nga një transportohen në spitalin tonë", tha Kara.

Pasi vuri theksin se garojnë me kohën, Kara tha: "Ka helikopterë që nisen nga atje. Që nga dita e parë kemi pritur të plagosurit gjatë 24 orëve duke punuar me turne të alternuara me një personel shëndetësor prej rreth 50 personash. Kemi pranuar rreth 4 mijë të plagosur".

Presin në gatishmëri në pistën e helikopterit

Zv/kryemjeku Kara tha se kolegët e tij të shëndetësisë nuk e kanë ndjerë lodhjen. "Sigurisht, të gjithë punonjësit shëndetësorë atje kanë treguar performancë të lartë. Bashkë me gjithë ekipin tonë qëndruam këtu për të mbështetur të tjerët atje", tha ai.

Duke shpjeguar procesin lidhur me transferimin e të plagosurve të nxjerrë nga rrënojat, Kara tha: "Në momentin e ngritjes së helikopterit vijnë informacionet nga qendra e krizës se sa helikopterë janë nisur, në cilën minutë është ngritur dhe sa të plagosur ka. Qëndronim në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët tanë, sepse disa mund të jenë pacientë me urgjencë. Pas mbërritjes së tyre kryenim zbarkim të shpejtë dhe më pas nëse ishte e nevojshme i dërgonim në sallën e operimit dhe kryenim transferimin e tyre në kujdesin intensiv"./AA