Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është takuar me homologun e tij vietnamez To Lam në Hanoi.

Në një deklaratë nga Pallati i Kremlinit thuhet se takimi në Hanoi mes To Lam dhe Putinin i cili ka vizituar Vietnamin, zhvillohet në një format të gjerë me pjesëmarrjen e ministrave dhe zyrtarëve të dy vendeve.

Duke folur në pjesën e hapur për media, Putin rikujtoi se marrëveshja e miqësisë mes Rusisë dhe Vietnamit është nënshkruar 30 vjet më parë.

Ai tha se ata mbajnë kontakte me Vietnamin përmes ministrive, parlamenteve dhe institucioneve të ndryshme. "Forcimi i partneritetit gjithëpërfshirës strategjik me Vietnamin është ndër prioritetet tona", tha presidenti rus.

Pasi vuri në dukje se marrëdhëniet në fushën e ekonomisë dhe tregtisë janë përmirësuar, Putin tha se vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 8 për qind vitin e kaluar.

"Veprojmë në koordinim ndërkombëtar me Vietnamin. Rusia i kushton rëndësi zhvillimit të dialogut me Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në të cilin Vietnami është një nga anëtarët kryesorë", theksoi Putin

- "I kushtojmë rëndësi zhvillimit të partneritetit strategjik me Rusinë"

Presidenti vietnamez To Lam tha se ata i kushtojnë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë. "Ne nuk harrojmë se populli rus na mbështeti në luftën tonë për pavarësi në të kaluarën, në ndërtimin e vendit tonë dhe në fazën e zhvillimit aktual", tha ai.

Duke vënë në dukje se vendi i tij ndjek një politikë të jashtme të pavarur, paqësore dhe të gjithanshme, To Lam tha: "Bashkë me këtë, ne gjithmonë i kushtojmë rëndësi të madhe zhvillimit të miqësisë tradicionale dhe partneritetit strategjik gjithëpërfshirës me Rusinë. Ne e shohim Rusinë si një nga prioritetet e politikës së jashtme të Vietnamit".

To Lam shtoi se me Putinin do të diskutojë për çështjen e thellimit të partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Vietnamit./aa