Ministria e Jashtme e Türkiyes ka publikuar një deklaratë me shkrim lidhur me vrasjen e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran, duke theksuar: "Dënojmë vrasjen e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, si rezultat i një atentati të poshtër në Teheran".
"I shprehim ngushëllimet tona popullit palestinez që ka sakrifikuar qindra mijëra martirë si Haniyeh për të jetuar në paqe në atdheun e tyre nën kulmin e shtetit të tyre", shtoi deklarata.
Duke theksuar se është zbulur edhe një herë se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka ndërmend të arrijë paqen, në deklaratë thuhet:
"Ky sulm synon përhapjen e luftës në Gaza në një dimension rajonal. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për të ndaluar Izraelin, rajoni ynë do të përballet me konflikte shumë më të mëdha. Türkiye do të vazhdojë të mbështesë çështjen e drejtë të popullit palestinez".
Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë në një sulm në rezidencën e tij në kryeqytetin e Iranit, Teheran.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Iranit, bazuar në deklaratën e Gardës Revolucionare të Iranit, shefi i Byrosë Politike të Hamasit, ka humbur jetën në rezidencën e tij në Teheran si rezultat i një sulmi terrorist.
Hamasi konfirmoi se Haniyeh u vra në një sulm ajror nga ushtria izraelite në rezidencën e tij në Teheran.
Në njoftimin e Hamasit thuhet se Haniyeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian./aa