Zvicra nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 ndaj Skocisë të mërkurën në mbrëmje, pavarësisht golit spektakolar të Xherdan Shaqirit, megjithatë helvetët janë ngjitur në kuotën e 4 pikëve dhe javë shumë pranë sigurimit të kualifikimit.

Në përfundim të takimit, kapiteni Granit Xhaka thuri elozhe për Shaqirin, që ndonëse në vitet e fundit të karrierës dhe duke luajtur në një kampionat modest si MLS-ja amerikane, tregoi sërish se mbetet në formë dhe i vlefshëm për Zvicrën.

“Xherdani na tregoi të gjithëve me atë gol, se pse është ende shumë i rëndësishëm për Zvicrën. Ka një të majtë perfekte, që e kanë vetëm pak futbollistë në botë dhe ai gol ishte treguesi më i mirë”, u shpreh Xhaka.

Kapiteni shqiptar i Zvicrës më pas u ndal te sfida ndaj Gjermanisë, e cila do të jetë e fundit në grup dhe për helvetët duhet të paktën një pikë për të siguruar vendin e dytë.

“Do të përballemi me një skuadër në formë shumë të mirë, siç është Gjermania, që për më tepër ka edhe tifozerinë në krah. Megjithatë jemi optimistë që do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe shpresoj të marrim rezultat pozitiv”, tha Xhaka./Tema