Shqipëria dhe Italia po avancojnë në diskutimet për aspektet teknike që do të sigurojnë zbatimin e marrëveshjes dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, bën të ditur se, “në datat 19 dhe 20 qershor, delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, dhe ai italian i kryesuar nga përfaqësuesja e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, Caterina Francomano, zhvilluan bisedime të frytshme dhe ranë dakord për përmbajtjen e Marrëveshjes Administrative, si dhe për të shkëmbyer draftet e formularëve përkatës. Kjo me qëllim, që Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore të bëhet e zbatueshme pas shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit, të dy delegacionet u angazhuan të zhvillojnë sa më shpejt takime të ndërsjella ndërinstitucionale.”
Gonxhja thekson se, “mbi 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, pritet të përfitojnë nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë.”/ata